Edhe pse në kushtet e hapjes totale, lufta ndaj virusit COVID-19 nuk ka përfunduar dhe për rrjedhojë as operacioni humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë në të gjithë vendin. Familjet shumë të varfra, familjet ekonomia e të cilave është cënuar për shkak të pandemisë, por edhe familje që jetojnë në fshat dhe e kanë të pamundur të zbresin në qytet për shkak të transportit po vijojnë të ndihmohen nga bashkitë, në një proces i cili vazhdon tashmë prej 3 muajsh. Në Bashkinë e Gramshit, që prej nisjes së pandemisë janë shpërndarë 2500 pako ushqimore ndërsa mbi 1500 pako të tjera janë në procesin e fundit të përgatitjes dhe shumë shpejt nis shpërndarja.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulan Balla, deputeti Anastas Angjeli dhe Kryetari i Bashkisë së Gramshit Klodian Taçe asistuan në përgatitjen e pakove ushqimore teksa garantuan se procesi do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Në fjalën e tij Balla tha se ka qenë një operacion humanitar, i cili në kushtet e vështira të pandemisë, ishte i domosdoshëm.

“Edhe pse jemi në kushtet e një hapje totale duhet të kuptojmë se kujdesi për familjet shumë në nevojë do të vazhdojë. Unë shpresoj që kjo të jetë faza e fundit e një procesi që ka shkuar derë më derë, në ato dyer ku nevoja ka qenë e madhe. Ka qenë një operacion humanitar, i cili në kushtet e vështira të pandemisë, ishte i domosdoshëm sepse familjet në nevojë e kanë pasur të nevojshme furnizimin me ushqimet e bazë. Shqipëria reale është kjo e njerëzve të thjeshtë të cilët kanë nevojë për përkujdesje të përditshme dhe jo për debate të kota politike të cilat nuk duhet t’ua zënë vendin debatit bazë mbi sfidat kryesore të përballjes me këtë pandemi dhe me efektet negative që ajo krijoi. Procesi i rimëkëmbjes ekonomike duhet të jetë duhet baza e çdo diskutimi, e çdo debati lidhur me tejkalimin e kësaj situate të vështirë”, deklaroi Balla.

Nga ana e tij kryetari i Bashkisë Klodjan Taçja vuri në dukje rëndësinë e këtij procesi humanitar. “Nga këto pako ushqimore do të përfitojnë familjet që janë përzgjedhur nga Shërbimi Social Kombëtar. Por ne po vijojmë edhe me shoqatat dhe me Emergjencat civile për të garantuar pako të tjera e për t’ju gjendur familjeve në nevojë”, tha Taçe.