Nga Alfred Peza
Shkarkimi nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Vjosa Osmanit nga të gjitha funksionet partiake, ka hapur një debat të ri në opinionin publik. Ajo nuk është më nënkryetarja e partisë së Isa Mustafës, por vijon që të jetë gjithësesi, Kryetare e Parlamentit të Kosovës.
Pas rezultatit prej 70 me 53 “pro” shkarkimit të saj, për shkak se doli kundër vendimit politik të LDK për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, kanë nisur edhe spekullimet për të ardhmen e saj politike. Në zgjedhjet e 6 nëntorit të kaluar, Vjosa Osmani i priu LDK në fushatën zgjedhore si kandidate për Kryeministre dhe kjo e bën figurën e saj që të ketë një vëmendje të merituar politike.
Interesante është fakti se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti u panë pas zgjedhjeve të fundit, si dueti i ri politik, që pritej të nxirrte në pension, gardën e vjetër në Prishtinë. Ironia është se brenda pak ditësh, si funksionet e saj partiake ashtu edhe atë të Kryeministrit, i mori Avdullah Hoti. Deri dje një politikan i dorës së dytë në LDK, sot ai e sheh veten, në majën më të lartë të pushtetit në Kosovë.
Pas këtij zhvillimi, një nga enigmat më të mëdha, është se ku dhe si do të jetë e ardhmja politike e Vjosa Osmanit? Fakti që ajo shihet si një politikane që është kundër establishmentit të vjetër në Kosovë, pozicioni i saj lexohet automatikisht, si më pranë atij të Albin Kurtit.
Këtë e ushqeu më shumë, edhe qëndrimi Haki Abazit i cili deklaroi se “sa i përket derës së hapur (për ardhjen e Vjosa Osmanit), mendoj që Lëvizja “Vetëvendosje” e ka vërtetuar që është e hapur për të gjithë ata që mendojnë që mund të bashkëngjiten procesit drejt realizimit shtet-ndërtimit dhe krijimit të një shteti demokratik me transparencë dhe llogaridhënie.”
Vetë Vjosa Osmani në një postim në facebookun e saj, shkruan se do “shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”.
Kjo deklaratë parathotë se ajo do vijojë të jetë pjesë e jetës aktive politike, por tashmë që i ka humbur të gjitha funksionet e saj politike në LDK, nuk dihet nëse do vijojë që të mbetet sërisht pjesë e saj për të pritur momentin e vet që të sfidojë Kryetarin Isa Mustafa? Apo do të largohet për një eksperiencë të re?
Pas kësaj alternativat janë dy: Ose ti bashkangjitet Lëvizjes “Vetëvendosje” siç po përflitet apo ndonjë partie ekzistuese. Ose të nisë vetë një projekt tjetër. Personalisht e shoh Vjosa Osmanin si themeluese të një partie të re. E cila në thelb i ruan të gjitha vlerat historike dhe frymën e LDK së Ibrahim Rugovës, por të përshtatur tashmë për kushtet e reja politike, duke e modernizuar atë në funksion të sfidave të së ardhmes. Ka shumë arësye se kjo ndërmarrje, mund të ketë sukses:
E para, sepse vetë Vjosa Osmani është një nga politikanet më të votuara të Kosovës, çka përbën një garanci për të udhëhequr një listë të suksesshme kandidatësh për deputetë në zgjedhjet e ardhëshme.
E dyta, ajo ndodhet në pozitat e kryetares së Parlamentit të Kosovës, çka shërben si një tranpolinë e fuqishme, për të ruajtur kuotat e larta politike në skenën e madhe.
E treta, LDK pas këtij vendimi ka marë përfundimisht fizionominë e liderit të saj Isa Mustafa, i cili është lideri më i vjetër politik në Prishtinë, me karrierë që i ka rrënjët që në ish Jugosllavinë e Titos. Kjo shërben për të bërë një kontrast të thellë mes tij dhe profilit të Vjosa Osmanit.
E katërta, fakti se Vjosa Osmanin e mbështeti gati 45% e Këshillit të Përgjithshëm në votimin e fundit, tregon se ajo gëzon ende një mbështetje të gjerë brenda LDK, por edhe jashtë saj.
E fundit, historia elektorale në Kosovë, kultura demokratike e zgjedhësve dhe faktorë të tjerë, e favorizojnë krijimin e partive të reja politike dhe futjen e tyre në Parlament.
Ndaj ky është momenti më i mirë për Vjosa Osmanin, që të “vetëvendosë” për të ardhmen e saj politike. Ajo ska nevojë ta ndërroje tutelën e Isa Mustafës me atë të Albin Kurtit, por i duhet që të gdhendë profilin e lidershipit të saj origjinal, që e ka sjellë deri këtu. Ky hap do ti shërbente edhe demokratizimit të vetë LDK, por edhe emancipimit të skenës politike në Kosovë. E cila pasi pati një kandidate në zgjedhjet e 2019, nesër pse jo mund të ketë për herë të parë, një grua për Kryeministre.