Samuel Eto’o e ka udhëzuar Xavi të kthehet te Barcelona, ndërsa Lionel Messi është akoma duke luajtur. Ish-ylli kamerunas e konsideron gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë” si “Zotin e Futbollit”. Xavi tashmë gëzon statusin legjendar në “Camp Nou”, pasi luajti me skuadrën katalanase më shumë se 500 ndeshje. Ai ka luajtur 17 vite si profesionist me Blaugrana-t. Tani 40 vjeç, ish-ylli i Spanjës trajnon Al Sadd në Katar, ku kaloi katër vitet e fundit të karrierës si futbollist, por vazhdimisht është i lidhur me një rikthim në stolin e Barcelonës.
Ndërsa Xavi ka deklaruar më parë se nuk ndihet i gatshëm për detyrën në fjalë, Eto’o, i cili e ndihmoi klubin për të fituar Champions-in në vitin 2009, nën drejtimin e Pep Guardiolës, ka inkurajuar ish-shokun e tij të skuadrës që të mos presë shumë gjatë: “Unë i kam thënë Xavi se çfarëdo që të ndodhë, ai duhet të kthehet te Barcelona. I thashë se duhet ta bëjë këtë ndërsa “Zoti i Futbollit” (Messi) është akoma atje. Ai luajti me Messi dhe kjo do t’ia lehtësojë punën si trajner”.