Nëntetarët e Forcave të Armatosura kanë përfunduar me sukses kurset e nënoficerit.

Kështu bëri të ditur sot ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila i uroi suksese të gjithë vajzave dhe djemve të FA-së.

“Pandemia nuk i pengoi nëntetarët tanë, në të gjitha forcat e repartet të përfundonin me sukses kurset e nënoficerit, të cilat janë bërthamat e formimit të komandantëve të skuadrave në çdo lloj specialiteti të Forcave të Armatosura. Suksese gjithë vajzave dhe djemve”, shprehet Xhaçka.

Oficerët dhe nënoficerët e Forcës të Armatosura përgatiten në kushte më komode dhe më të përshtatshme në mjediset e rindërtuara të Qendrës Stërvitore të kësaj force vitin e kaluar.

Qendra Stërvitore e FT është pajisur me klasa dhe kabinete të cilat do t’i shërbejnë përgatitjes së personelit oficer dhe nënoficer të vijojnë thellimin e njohurive të marra nga Akademia e Forcave të Armatosura dhe ajo e Nënoficerëve, mes të cilave edhe kabineti për përgatitjen e efektivëve pjesë në misionet e Kombeve të Bashkuara.