E ardhmja e pilotit italian Valentino Rossi në Moto GP do të jetë motori Petronas, një markë satelite e motorit japonez Yamaha. Konfirmimi ka ardhur sot nga pronari i motorit Yamaha Petronas, Razlan Razali, që konfirmon se palët janë pranë marrëveshjes, që do të zyrtarizohet së shpejti.

Kontrata e Rossit me Yamaha zyrtare skadon në fund të këtij viti dhe në vitin 2021 ai do të shkojë në Yamaha Petronas. “Deri më tani bisedimet kanë qenë pozitive dhe po shkojmë drejt marrëveshjes. Shpresojmë që gjithçka të mbyllet brenda këtij muaji”, tha Razali.

“Rossi nuk është një pilot “normal”, ndaj bisedimet me të janë të vështira, pasi në këtë marrëveshje përfshihen shumë palë. Kemi shumë për të diskutuar. Rossi pret një motor të mirë nga ne dhe do t’ia ofrojmë. Edhe ne duam një pilot që t’i japë stabilitet skuadrës. Do të ishte nder për ne nëse Rossi e mbyll karrierën këtu”, tha Razali.