Zlatan Ibrahimovic nuk ka asnjë ego por ka kontribuar shumë te Milani. Këtë gjë e thotë shokut i ekipit të suedezit, Hakan Calhanoglu. 38-vjeçari u rikthye në Milano në janar dhe ka shënuar 4 gola në 10 ndeshje, para se sezoni të pezullohej për shkak të pandemisë së koronavirus. Sulmuesi po riaftësohet nga një dëmtim në pulpën e këmbës, përpara rifillimit të Serie A, me të ardhmen e tij të pasigurt. Por, Calhanoglu ishte plot lëvdata për Ibrahimovic, i cili fitoi titullin e Serie A dhe Superkupën e Italisë gjatë eksperiencës së parë me klubin kuqezi.
“Ai nuk është një lojtar i ri për Milanin. Po flasim për një yll botëror dhe lojtar me shumë përvojë, – tha turku për “BeIN SPORTS”. – Ibra është ylli ynë. Ai ka kontribuar për ne në çdo aspekt, me përvojën, ambicien, mentalitetin. Na ka ndihmuar shumë në stërvitje dhe në ndeshje. Të gjithë nga jashtë shohin vetëm egon e tij. Unë mendoj se nuk ka asnjë ego. Ibra është shumë i afrueshëm, bën shaka. Është mjaft i këndshëm për ta kaluar kohën me të”.
Shoku tjetër i skuadrës, Leo Duarte, gjithashtu, kohët e fundit pati lëvdata për Ibrahimovic: “Ai është një kampion i shkëlqyeshëm, shumë konkurrues. Ibra na ndihmon shumë në stërvitje, për të qenë të përqendruar dhe për t’u përmirësuar. Me të vërtetë bën ndryshimin në ekipin tonë. Shpresojmë të riaftësohet së shpejti, sepse është shumë i rëndësishëm për Milanin”. E pezulluar që nga muaji mars, Serie A është vendosur të rifillojë më 20 qershor, me kuqezinjtë të renditur në vendin e shtatë në klasifikimin aktual.
Ibrahimovic është i kontraktuar në Itali deri në fund të sezonit, me raporte mediatike që sugjerojnë se ka të ngjarë të rinovojë, por vetë suedezi e ka lënë të hapur të ardhmen e tij: “Unë kam një kontratë me Milanin dhe do të shohim se si do të përfundojë sezoni. Dua të luaj futboll për aq kohë sa mundem dhe jam në gjendje të kontribuoj. Nuk dua të luaj vetëm për atë që kam bërë, ose se kush jam. Ne do të shohim se çfarë mund të ndodhë. Kush e dinte se do të vinte koronavirus dhe do ta kthente botën përmbys brenda dy javësh”.