Një strukturë prehistorike unike, që formon një rreth prej më shumë se dy kilometra në diametër, është zbuluar pranë vendit të famshëm megalitik të Stonehenges, në jugperëndim të të Anglisë, njoftoi sot Universiteti Skocez i Shën Andreas. “Puna në terren dhe analizat e fundit kanë nxjerrë në pah praninë e 20 ose më shumë gërmimeve masive parahistorike, me një diametër më shumë se 10 metra dhe pesë metra të thellë” theksoi universiteti në një deklaratë.
Këto gërmime formojnë një rreth me diametër më shumë se dy kilometra rreth rrethimit neolitik (henge) të mureve të Durrington Walls dhe vendit të Woodhenge, rreth tre kilometra larg nga Stonehenge. Ato mendohet të jenë gërmuar më shumë se 4 500 vjet më parë, rreth kohës kur u ngritën muret e Durringtonit.
Sipas arkeologëve, këto gërmime do të kishin shënuar kufijtë e një zone të shenjtë në epokën neolitike, të shoqëruar me shfaqjen e fermerëve të parë në Britaninë e Madhe dhe nganjëherë ngritjen e strukturave rituale shumë imponuese.
“Sidoqoftë, asnjë strukturë parahistorike në Britaninë e Madhe nuk rrethon një zonë aq të madhe sa rrethi i gërmimeve në Durrington, dhe kjo strukturë është aktualisht unike”, nënvizon komunikata.