Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaron se PD duhet të vijë me propozimin për nënkryetarin e KQZ-së. Në një intervistë televizive, Gjiknuri tha se pret që të jetë opozita ajo që të propozojë formulën, pasi nënkomisioneri sipas marrëveshjes duhet të vijë si i zgjedhur i saj, me detyrën e posaçme të aplikimit të identifikimit biometrik. “Të vijnë me propozim që adreson këtë problem. Unë do bashkëpunoj, por një kërkesë që ke insistuar vetë, brenda kuadrit ligjor të miratuar si draft, ta zbatojmë”, tha Gjiknuri.
I pyetur se a është e gatshme mazhoranca të rishikojë marrëveshjen për të patur edhe votat e opozitës në Kuvend, Gjiknuri thekson se, “detyra ime dhe e Partisë Socialiste është t’ i qëndrojmë marrëveshjes, të çojmë amendimet në Kuvend, dhe aty të negociohet a bëhen apo jo votat. Pastaj se çfarë është opsion b ose c, është shpejt për t’u folur”. Gjiknuri zbulon formulën që u refuzua në tryezë, për depolitizimin e administratës. “Formula ka qenë që tre komisionerë të zgjidheshin nga njerëz të trajnuar, ndërkohë që 2 vëzhgues politikë do të firmosnin çdo procesverbal”, tha Gjiknuri. Lidhur me rolin e ndërkombëtarëve në arritjen e marrëveshjes Gjiknuri tha se, “do të prevalojë vullneti jo vetëm i aktorëve kryesorë politikë shqiptarë, por dhe i të gjithë faktorëve ndërkombëtarë që e përkrahin Shqipërinë në këtë rrugë kaq të rëndësishme siç është integrimi”.