Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, jep lajmin se është zgjeruar skema e librave falas. “Kësaj skeme përfituese i shtohen të gjithë nxënësit e klasave të 6-ta dhe 7-ta duke arritur në 250 mijë numrin e nxënësve përfitues (të gjithë nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të)”, shkruan Shahini në Facebook.

Mesazhi i Shahinit: Zgjeruam skemën e librave falas! Sapo u miratua në Këshillin e Ministrave propozimi i Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të mbuluar me #librafalas të gjithë nxënësit që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike deri në klasën e 12-të. Nxënësit romë dhe egjiptianë, sikurse nxënësit me aftësi të kufizuara apo nxënësit përfitues të asistencës sociale – grupe tashmë të përfshira ne skemën e librave falas – kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme. Kjo na brengos akoma më shumë tani që gjendemi në situatë pandemie.

Por, me vendimin e sotëm, në kuadër të politikave gjithëpërfshirëse arsimore, ne do të ulim më tej koston e familjeve për shkollimin e fëmijëve të tyre dhe do të përmirësojmë më tutje qasjen e nxënësve në arsim. Kësaj skeme përfituese i shtohen të gjithë nxënësit e klasave të 6-ta dhe 7-ta duke arritur në 250 mijë numrin e nxënësve përfitues (të gjithë nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të). Përkundër presionit të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë COVID-19 që rëndon mbi buxhetin publik, politikat që sigurojnë #gjithëpërfshirje në arsim i kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë gjithmonë. #LibraFalas #Gjithëpërfshirje