Zinedine Zidane u shfaq para mikrofonit të “Movistar La Liga” pas fitores së mbrëmshme kundër Mallorca. Trajneri i Real Madridit foli për ndryshimet që bëri në formacion, duke bashkuar Vinicius dhe Hazard në fushë, njëherazi dhe përdorur modulin 4-2-3-1. Ai, gjithashtu, vlerësoi Sergio Ramos, të cilin e konsideron një lider që i tregon rrugën skuadrës së tij.

Analiza e ndeshjes – “Ndoshta na mungoi madhështia, por rëndësi ka që fituam pastër. Ne duhet të insistojmë për soliditet, që është gjëja më e rëndësishme në futboll. Kemi qenë mirë në mbrojtje, mbase na ka munguar pak më përpara. Në fund të fundit, pas katër ndeshjeve në një kohë të shkurtër, kemi pikët e plota. Gjëja më e rëndësishme është fitorja, ndaj duhet të mendojmë pozitivisht”.

Sergio Ramos – “Goditja e lirë është specialitet i tij. Trajnohet specifikisht për këtë në stërvitje. Realizoi një gol të bukur. Në mbrojtje, si gjithmonë, është lideri i ekipit tonë, kapiteni ynë dhe gjithmonë na tregon rrugën”.

Formacioni ndryshe – “Ne jemi këtu për t’i provuar gjërat. Me një formacion ndryshe kemi luajtur mjaft mirë. Sigurisht që na ka munguar diçka, gjithmonë mund të bëjmë më mirë. Unë qëndroj me fitoren, katër të tilla me radhë. Duhet t’i ekonomizojmë mirë forcat, sepse nap resin edhe shumë ndeshje të ngjeshura”.

Luftë deri në fund – “E sigurt që titulli do të vendoset vetëm në fund të kampionatit. Ekipi që kujdeset deri për detajet më të vogla do të triumfojë”.

Arbitrat – “Sergio tashmë është përgjigjur. Unë nuk do të ngatërrohem përsëri me këto gjëra, më dalin detyrat që bëj. Ajo që dua është të pushojmë mirë, të dielën kemi një tjetër lojë. Kjo është vështirësia e kësaj lige, por është edhe bukuria e futbollit tonë”.

Situata e Bale – “Ne jemi të gjithë këtu, të lumtur me atë që po bëjmë. Ai është një lojtar i rëndësishëm. Duhet të vazhdojmë ashtu siç po bëjmë, të gjithë së bashku. Mund të ndryshojmë modulin dhe lojtarët, por e rëndësishme është që ideja jonë e futbollit të mbetet e njëjtë, me fokus kryesor fitoren. Ka lojtarë që luajnë më shumë, të tjerët më pak… kjo është jeta”.

Ritmi – “Lodhja, pas katër ndeshjeve të ngjeshura, është me të vërtetë e dukshme, po e vërejmë këtë. Sonte e përfunduam ndeshjen pak më të lodhur. Nuk është çështje vetëm e Real Madridit. Unë po i shikoj të gjitha ndeshjet dhe është diçka për krejt skuadrat. Ne e dimë situatën, e cila nuk do të ndryshojë. Na duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj lojtarëve, gjendjes së tyre fizike”.

Rinovimi i Ramos – “E kam thënë gjithmonë, Sergio është kapiteni dhe lideri ynë. Ai ka qenë te Real madridi prej shumë vitesh. Për mendimin tim, duhet të pensionohet këtu. Unë mendoj për këtë dhe do ta them gjithmonë”.

Zero gola për Courtois – “Nuk është ndeshja e parë, që nuk pëson. E shoh dinamik, gjë që është shumë e mirë për ne. Duhet të vazhdojmë kështu, e dimë rëndësinë e të gjithë lojtarëve” .

Kubo, i jashtëzakonshëm – “Ai luajti një ndeshje të shkëlqyeshme. E njohim potencialin e tij, sonte e tregoi veten përsëri. Kubo është shumë i aftë, gjithmonë shkon drejt portës. Loja e tij nuk më befason. Pjesën tjetër, si gjithmonë, do ta shohim më vonë. Shqetësimi ynë tani për tani janë lojtarët tanë, që kemi në përbërje”.