Mathieu Bodmer e ka përshkruar Zlatan Ibrahimovicin si jashtëtokësor dhe lojtar të mrekullueshëm, përderisa e ka lavdëruar për ndikimin që e pati te skuadra e Paris Saint-Germainit mes viteve 2012 dhe 2016. Zlatan Ibrahimovic e kompletoi transferimin prej 21 milionë eurosh në PSG nga Milani para tetë vjetësh dhe vazhdoi duke e shijuar periudhën e tij më të suksesshme si golashënues në kryeqytetin francez.
Sulmuesi veteran suedez i kishte shënuar 156 gola në 180 paraqitje në të gjitha garat për Paris Saint-Germainin, ndërsa kishte kontribuar edhe me 60 asiste, duke u bërë kështu sulmuesi më i rrezikshëm në Ligue 1. Ai i fitoi gjithsej 12 trofe gjatë kohës së tij në Parc des Princes, përfshirë këtu katër tituj të Ligue 1, dhe e fitoi një vend në listën e rekordeve te klubi francez, para se t’i bashkohej Paris Saint-Germainit si transferim i lirë.
Bodmer, i cili kishte qenë dëshmitar i këtyre arritjeve të Ibrahimovicit nga afër gjatë atyre viteve, thotë se atij i pëlqente shumë të punonte përkrah Ibrahimovicit, i cili në janar u kthye në Milan. “Ibrahimovic? Ai është një jashtëtokësor. Mua më pëlqente shumë karakteri i tij dhe më pëlqente shumë ai si lojtar”, ka thënë ish-mesfushori i PSG-së për Goal.com. “Ai është një lojtar i mrekullueshëm, një djalosh i mrekullueshëm, i cili bëri shumë për PSG-në. Ju mund të thoni se ai është arrogant, por ai bëri që shumë gjëra në klub të shkonin në drejtimin e duhur”.