Rreth 2.750 banorë në segmentin e Transballkanikes në Vlorë do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm. Këshilli Teknik i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Menaxhimit të Mbetjeve shqyrtoi dhe miratoi ndërtimin e ujësjellësit për t’i hapur rrugë nisjes së investimit të këtij ujësjellësi nga qeveria qendrore.
Investimi për këtë projekt synon ndërtimin e rrjetit të brendshëm me spostimin e linjave aktuale dhe ndërtimin e linjave të reja. Po ashtu siguron 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 2.750 banorë, eleminimin e humbjeve në rrjet, ndërtimin e rrjetit të brendshëm dhe optimizimin linjave të rrjetit të jashtëm deri në burim si dhe instalimin 100% të ujëmatësave për konsumatorët.Rrjeti aktual i ndërtuar para viteve ’90 është i degraduar dhe zona është urbanizuar prej zhvillimeve të vrullshme demografike në këto 30 vite Investimet e qeverisë qendrore në infrastrukturën e ujësjellësve synojnë modernizimin e tij, për të garantuar parametra e standarde bashkëkohore duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, si dhe ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.