Shënon 2964 numri i fermerëve aplikantë të kualifikuar parapakisht si përfitues të Skemës Kombëtare për mbështetjen për Bujqësinë 2020, për sektorin e blegtorisë.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka bërë përditësimin e listës së aplikimeve të kualifikuara, së bashku me vijën e financimit, pas buxhetit të shtuar për Skemën Kombëtare, ku rezulton se numri i përfituesve për masën e blegtorinë, është shtuar me 1250 aplikantë.

Në fazën e parë ishin 1714 aplikantë të kualifikuar përfitues për blegtorinë, ndërsa me listën e përditësuar numri është rritur në 2964 aplikantë përfitues.
Deri 360 mijë lekë subvencion përfitojnë fermerët që kanë tufa blegtorale mbi 70 krerë dele ose dhi, nga Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2020.

Implementimi i masës mbështetëse për blegtorinë parashikon: financim për tufën bazë të matrikulluar, për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt. Ndërkohë Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur në kohë rekord disbursimin e pagesave, subvencion për fermerët nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020.