Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje të individëve rezidentë në vendin tonë, të cilët gjatë vitit 2019 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, në shumën mbi 2 milionë lekë, se brenda datës 31 korrik 2020 duhet të dorëzojnë në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing, deklaratën individuale vjetore të të ardhurave (DIVA). Detyrimin për dorëzimin e deklaratës e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim vendin tone mbi këtë shumë.
Të ardhurat e tatueshme, të detyrueshme për t’u deklaruar nga individët, subjekt deklarimi, janë të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, nga dividenti, nga qiraja, nga fitimi kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit, nga interesat bankare, nga fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme, shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit, të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
Për herë të parë, deklarata do të gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit për sa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e mësipërme të dekaratës DIVA, pavarësisht se do të gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato. Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.