Studiuesit kanë zbuluar se pjesa më e madhe e pacientëve të prekur me koronavirus në Itali kanë vazhduar të shfaqin simptoma edhe dy muaj pasi kishin rezultuar negativë nga Covid-19. Në bazë të këtij studimi janë vëzhguar 143 persona të prekur me Covid-19 që ishin shtruar në spital, nga të cilët 87% raportuan të paktën një simptomë të sëmundjes 60 ditë pas testit negativ.
Lodhja ishte simptoma më e zakonshme, e raportuar te 53% e personave, ndërsa 43% e tyre kishin vështirësi në frymëmarrje dhe më shumë se 20% përjetonin ende dhimbje në nyje ose në gjoks. Rreth 43% e tyre janë shprehur se jeta e tyre ishte përkeqësuar.
Megjithëse studimi, i botuar në gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, nuk është i zgjeruar, sërish shton provat se një pjesë e madhe e të infektuarve me Covid-19 kanë probleme shëndetësore të vazhdueshme post koronavirusit.
“Kjo është me të vërtetë shqetësuese, por plotësisht në përputhje me atë që unë jam duke vëzhguar nga pacientët që kanë kaluar koronavirusin”, shprehet Dr. Christian Ramers, një ekspert i sëmundjes infektive në San Diego, shkruan “Telegraph”. Ky studim vjen pasi Dr. Anthony Fauci, eksperti më i mirë i sëmundjes infektive në SHBA, tha në një konferencë të enjten se shumë pacientë mund të shfaqin simptoma post-virale për një kohë të gjatë pas të ashtuquajturës shërim.