Nuk ka asgjë të vërtetë, agjenti i De Bruyne ka mohuar spekulimet për një largim të mundshëm të De Bruyne nga Man City. Dënimi i UEFA-s për Manchester Cityn, që s’do të garojë në Ligën e Kampionëve të paktën dy vite (nëse dënimi nuk zbutet edhe pas apelit), ka bërë që e ardhmja e disa futbollistëve të jetë në pikëpyetje. Një ndër ta është edhe Kevin de Bruyne, për të cilin do të hapeshin dyer të klubeve më të mëdha në botë nëse veç publikisht do të pranonte se do të largohet.

Por, agjenti i lojtarit, Patrick De Koster, i ka quajtur gjitha spekulime ato që shkruhen nëpër botë për De Bruyne. “Në këtë moment, ai as që po mendon për këtë. Ai ende ka kontratë me Cityn, edhe tri vite, në një ekip fantastik ndër më të mirët në botë dhe është i lumtur në Mancester”, u shpreh De Koster.

“Ka shumë që flasin, por ai s’po mendon për transferim”. “Natyrisht, interesim ka gjithmonë për lojtarë të mirë si De Bruyne, Lionel Messi ose Cristiano Ronaldo ose Antoine Griezmann. Nëse çdo gjë që lexoj është e vërtetë, do të më duheshin 48 orë që të shikoj dhe të jem në të njëjtën kohë nëpër gjithë botë. Betohem në kokën e fëmijëve të mi se çka do që lexoj 90% janë mbeturina”.