Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uroi sot Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnajt si drejtoresha e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“Kjo është një piketë historike në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme, po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë. Vendimet e sotme tregojnë se pavarësisht pengesave, Reforma në Drejtësi po bëhet realitet”, shprehet ambasada e SHBA-së.

“Me emërimin e drejtores së re të BKH-së, të gjitha institucionet e parashikuara nga Reforma në Drejtësi tashmë janë ngritur. Ashtu si u përcaktua në ligjet e miratuara në vitin 2016, u themeluan Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Të dyja institucionet që përbëjnë SPAK – Zyra e Prokurorisë së Posaçme dhe BKH – tashmë janë themeluar. Rezultatet do të mbërrijnë, ngadalë por është e sigurt”, shtoi ambasada.

“BKH do të trajnohet nga FBI-ja amerikane dhe tani do të fillojë rekrutimin e hetuesve të nevojshëm për të siguruar suksesin e SPAK. Ne u bëjmë thirrje kandidatëve të palodhur dhe të ndershëm që të bashkohen në radhët e BKH-së, nën udhëheqjen e drejtores Hajnaj”, thekson ambasada.

“Ne i urojmë suksese Drejtores Hajnaj teksa ajo nis detyrën e saj historike! Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për zbatimin e plotë dhe të duhur të Reformës në Drejtësi, hap pas hapi”, përfundon ambasada e SHBA.