Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar mbylljen brenda tre ditësh të konsullatës kineze në Houston, duke përmendur si arsye nevojën për të mbrojtur pronësinë intelektuale amerikane dhe informacionet private të amerikanëve. Pekini e dënoi urdhrin dhe kërcënoi se do të kundërpërgjigjet. Një burim tha se Kina po shqyrton mundësinë e mbylljes së konsullatës amerikane në qytetin e Wuhanit.Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë bërë gjithnjë e më të tensionuara që nga shpërthimi i  koronavirusit në Wuhan. Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi të mërkurën mbylljen e afërt të konsullatës në Houston.

Zëdhënësja Morgan Ortagus tha në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë shkeljet e Republikës Popullore të Kinës ndaj sovranitetit të SHBA dhe frikësimin e popullit amerikan, ashtu si nuk kanë toleruar praktikat e padrejta të tregtisë nga Kina, vjedhjen e vendeve të punës të amerikanëve dhe sjellje të tjera skandaloze”. Duke folur para gazetarëve në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin u tha gazetarëve se urdhri për të mbyllur konsullatën në Houston “është një shkallëzim i paparë i veprimeve të fundit (amerikane) kundër Kinës.” Ai aku zoi Shtetet e Bashkuara për ngacmimin e stafit diplomatik dhe konsullor kinez, si dhe për “frikësimin dhe marrjen në pyetje të studentëve kinezë apo konfiskimin e pajisjeve të tyre elektronike”, madje deri në ndalimin e tyre.

Wang paralajmëroi se nëse administrata Trump nuk ndryshon qëndrim, Kina do të kundërpërgjigjet. Mediat amerikane njoftuan se të martën mbrëma në oborrin e konsullatës në Hjuston po digjeshin dokumente në një konteiner, duke cituar policinë. Shefi i zjarrfikseve të qytetit tha se ata nuk ishin lejuar të hynin brenda. Dy vendet janë përplasur kohët e fundit në lidhje me tregtinë, teknologjinë, një ligj të sigurisë kombëtare të imponuar ndaj Hong Kongut dhe pretendimeve të Kinës në Detin e Kinës së Jugut.Të martën,  ndaj dy shtetasve të Kinës që punonin për shërbimet kineze të sigurisë u ngritën akuza për hakerim të qindra subjekteve në të gjithë botën, duke përfshirë kompani bioteknologjike amerikane që zhvillojnë vaksina dhe kura për COVID-19./VOA