Nga Alfred Peza/
“Opozita e Bashkuar” falenderoi gjithkënd për miratimin pa asnjë ndryshim të marrëveshjes së 5 qershorit të arritur mes saj dhe PS në tryezën e Këshillit Politik për reformën zgjedhore, përveç atyre që ua mundësuan këtë, me votën e tyre në Parlament. Kaq mjafton për të kuptuar, se çfarë raporti kanë praktikisht PD, LSI dhe aleatët e tyre, me mirënjohjen dhe me kulturën e luajalitetit politik në demokraci.
Kurioziteti pas procesit të votimit me 97 vota pro të kësaj marrëveshje, është nëse Presidenti i Republikës Ilir Meta do ta dekretojë atë, apo jo! Jo për gjë, po thjeshtë për të parë, nëse edhe pas kësaj Parlamenti ka vetëm 82 mandate legjitime,- siç ai ka thënë sa herë që është në hall,- apo edhe ato 15 deputetët e tjerët që miratuan listën e dëshirave elektorale të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, janë legjitimë pas kësaj!
Më e rëndësishme se këto dy momente, është diçka tjetër, edhe më e madhe. E cila ka të bëjë me konceptin opozitar, rreth raportit që duhet të ekzistojë ndërmjet Këshillit Politik dhe Parlamentit. Duke dashur që të vendosin diktatin e pakicës mbi shumicën për interesat e tyre politike, opozita e rrugës ka tentuar gjatë gjithë kohës që të bllokojë një marrëveshje tjetër. Atë mes PS dhe opozitës parlamentare; për hapjen e listave zgjedhore, koalicionet dhe pragun elektoral.
Për këtë, kanë ndjekur një strategji, të ngritur mbi tri pika:
E para, kanë tentuar gjithë kohës që ti japin Këshillit Politik atribute mbi Parlamentin, në përmbushje të qëllimit të tyre për delegjitimin e institucioneve. E kundërta është e vërtetë: Vendimet e mara mes palëve në Këshillin Politik, në fund të fundit, do të shkojnë për tu votuar në Parlament. Këshilli është thjeshtë një mekanizëm politik, i krijuar me dëshirën e mirë të PS, për ti mundësuar PD dhe LSI rikthimin “nga oxhaku” në jetën demokratike të vendit, pas daljes së tyre më dëshirë nga portat e Parlamentit.
E dyta, për ti dhënë mbivlerë rolit të tyre në jetën politike të vendit, opozita ka luajtur gjatë gjithë kohës kartën e delegjitimit të deputetëve të rinj që ndodhen sot në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, pas djegjes së mandatave të tyre të përfaqësimit në janarin e 2019. Kjo rezultoi një ndërmarrje e dështuar, për aq kohë sa kërkesat e artikuluara nga opozita e re parlamentare, (hapja e listave) fituan veç të tjerash, edhe një mbështetje të jashtëzakonshme popullore.
E treta, opozita e rrugës ka luajtur gjatë gjithë kohës, me kartën e bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE, ku njëra nga detyrat e shtëpisë për mazhorancën, lidhej pikërisht me miratimin e reformës së re elektorale. Edhe kjo kartë e presionit të shtuar opozitar ra dhe miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit u përshëndet nga BE, SHBA dhe OSBE. Duke lënë të hapur pas kësaj, edhe mbështetjen për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, më 30 korrik.
Janë këto të vërteta të thjeshta, por edhe vendosmëria e PS dhe Kryeministrit Edi Rama për ti shkuar deri në fund të dyja marrëveshjeve,- edhe asaj me opozitën e rrugës, edhe asaj me pozitën Parlamentare,- ajo që i dha mbështetje të plotë si ndërkombëtare ashtu edhe mbarëpopullore.
Është ky realitet që ka detyruar përfaqësuesit e PD dhe LSI në tryezën e Këshillit Politik, që të bëjnë një piruetë 180 gradëshe brenda pak orësh. Nga deklarata për të mos diskutuar asgjë jashtë marrëveshjes së 5 qershorit, tek rikthimi për të vijuar diskutimin me PS, për të gjitha çështjet në funksion të zgjedhjeve të 2021 që janë në lojë. Përfshi, marrëveshjen me opozitën e re, që pritet të miratohet më 30 korrik.
Më shumë se fitore e çështjes së listave të hapura, më shumë se fitorja e ndërkombëtarëve të angazhuar në këtë proces, më shumë se fitorja e mazhorancës, ky është momenti i triumfit të legjitimitetit mbi politikën e opozitës së rrugës. E cila pasi doli nga Parlamenti i dalë nga vota e shqiptarëve në zgjedhjet e 2017, kërkoi ta zëvendësojë atë, me një tryezë politike!