Nga Artur Ajazi
Ata nuk ndalen, nuk kanë ideale dhe parime, ata nuk kanë iman dhe atdhe, ata nuk pyesin për takime dhe nënshkrime, ata nuk besojnë tek marrëveshjet dhe aleancat, ata janë milionerë të bashkuar. Ata i besojnë vetëm parasë. Ata duan pushtetin, dhe asgjë tjetër. Janë gati të sakrifikojnë partinë, shtetin, Kushtetutën, ligjet, popullin e tyre, vetëm të vijnë në pushtet dhe të mos u preken milionat.
Shqiptarët kanë mbi 7 vjet që shqyejnë sytë dhe nuk u besojnë veshëve, tek shohin si mbushen me pasuri të paimagjinueshme, deklaratat e pasurisë të atyre që sot “qahen” se “nuk u mjafton liria, demokracia, se nuk u respektohet e drejta e fjalës dhe protestës,se nuk thirren në tryeza, dhe se nuk u del rroga”. Ata janë milionerët e ish-opozitës së vjetër, qokaxhinjve që edhe pse nuk dinë të bëjnë edhe të luajnë në politikë, nuk u ndahet shpirti nga pushteti.
Shesin, blejnë, shtojnë llogaritë bankare, hapin biznese dhe kompani në kohë krize, bëjnë marrëveshje me firma të huaja, dhe ortakëri biznesi në Shqipëri dhe jashtë saj, dhe sërish qahen, por kërkojnë edhe …pushtetin. Janë pikërisht milionerët e ish-opozitës së djeshme, që nuk lanë gjë pa i marrë shqiptarëve dhe Shqipërisë, që nuk lanë toka, fusha, male, armatime dhe municione, lumenj, liqene dhe dete pa blerë dhe shitur, nuk lanë bregdete dhe fshatra turistike pa ndërtuar vilat dhe pallatet e tyre, janë ata që në jugun e vendit kanë çirakët e tyre të punësuar në pronat e paligjshme.
Dhe sërish ankohen, qahen sepse nuk u respektohet e drejta, liria dhe demokracia, qahen sepse Edi Rama po hap listat e emrave që do të votohen nga shqiptarët, qahen sepse Edi Rama, nuk po u lë shtegun të abuzojnë me zgjedhjet dhe votën e shqiptarëve. Qahen sepse Edi Rama, nuk do tu japë kurrë më shansin, të mblidhen në ambasada dhe të firmosin marrëveshje apo ujdira të tjera, por gjithçka do të jetë transparente para popullit.
Janë milionerët e bashkuar dhe jo “opozita e bashkuar”, ata që edhe pse në opozitë, nuk lanë skutë të vendit pa hapur bizneset e tyre, nuk lanë vilë pa blerë, edhe pse kanë nga 15 apo 20 apartamente. Ata duan pushtetin, ata duan të jenë edhe njëherë në majën e “fikut” nga ku ranë për të mos u ngritur kurrë më. Ata duan pushtetin dhe jo “begatinë e popullit”, ata duan të qeverisin si sulltanë edhe njëherë, të shkelin ligjet dhe të djegin edhe dosjet e mbetura në Prokurori, dhe jo të zbatojnë ligjin.
Atyre u “qan” zemra për poste dhe ofiqe, dhe jo për të “shpëtuar shqiptarët nga regjimi Rama”. Ata janë milionerët e bashkuar, për një dëshirë dhe një qëllim, dhe as u bëhet vonë për shqiptarët. Ata që u shkojnë votuesve me fuoristrada 100 mijë euroshe, me flokë të llakuar, dhe me parfume të blera në Europë, nuk janë “opozita e bashkuar” , nuk janë alternativa e zhvillimit, por janë ziliqarët e pushtetit.
A ka shqiptar, tu besojë pseudopolitikanëve të tillë, a ka shqiptar të votojë për të rikthyer në pushtet zullumqarët, zhvatësit,abuzuesit, mashtruesit, a ka shqiptar të bindet nga premtimet e milionerëve të bashkuar, madje me llogari bankare edhe jashtë vendit ? Natyrisht nuk ka, dhe nuk do të ketë, derisa në piramidën e asaj, që ata e quajnë “opozita e bashkuar”, të jenë matrapazët e pushtetit të djeshëm.