Nga Catherine Chatignoux

Paris – Kush qëndronte pas hartimit të një plani të madh të rimëkëmbjes ekonomike, të bazuar tek solidariteti, kundër rrënimit ekonomik dhe social të shkaktuar nga një pandemia e Covid-19, e cila kërcënoi t’i jepte një goditje fatale kohezionit në Bashkimit Evropian? Përgjigja qëndron tek një treshe:Kristin Lagard, Ursula Von der Lejen dhe Angela Merkel, 3 gra me personalitete dhe prejardhje të ndryshme, por që secila në pozicionin e saj kryesor, diti të merrte vendimet e duhura dhe në kohën e duhur.

Tre gratë, në të 60-at e tyre, nuk prisnin të bëheshin “fanari ndriçues” i këtij momenti delikat. Mendohej se Merkel ishte në vitet e saj të muzgut politik. E konsumuar dukshëm pas 13 viteve në pushtet në Berlin, “dekania” e liderëve evropianë kishte njoftuar në fund të vitit 2018, se do të hiqte dorë nga një mandat i pestë si kancelare e Gjermanisë.

Von der Lejen, që disa muaj më parë u zgjodh presidente e Komisionit Evropian, ishte po aq e re sa Merkel, por kancelarja kishte më shumë përvojë. Ministrja jopopullore gjermane e Mbrojtjes, që u imponua si kryetare e ekzekutivit të BE-së nga krerët e shteteve dhe qeveritë, mori vetëm një mbështetje me rezerva nga anëtarët e Parlamentit Evropian.

Kristin Lagard, ishte gjithashtu tërësisht e huaja për qarqet e Brukselit, kur u propozua nga Emanuel Makron për të qenë drejtuese e Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Fakti që ajo është një grua, ishte domethënës në këtë përzgjedhje, në emër të barazisë gjinore për pozicionet kryesore në institucionet evropiane.

Ish-ministrja franceze e Financave, nuk kishte drejtuar më parë një bankë qendrore si paraardhësit e saj në Frankfurt; dhe nuk ishte as ekonomiste. A do ta dinte ajo si të reagonte në rastin e një krize? Ishte Lagard, ajo që pas një gabimi që i shërbeu si paralajmërim, u vendos në linjën e parë të mbrojtjes përballë krizës.

Më 18 mars, presidentja e BQE njoftoi se do të niste zbatimin e një plani masiv për të mbështetur ekonominë. Banka shpalli blerjen e 1.000 miliardë eurove borxhe të qeverive, dhe brenda disa muajsh pati një strategji që ishte më ambicioze se sa ajo e Rezervës Federale në SHBA.

Synimi ishte të lehtësohej presioni mbi normat e interesit, dhe të largohej rreziku i copëtimit të eurozonës. “Kohët e jashtëzakonshme, kërkojnë veprime të jashtëzakonshme”-tha ajo në atë kohë. Banka Qendrore shtoi përpjekjet e saj në fillim të qershorit, duke akorduar 600 miliardë euro shtesë.

Lagard ka mësuar leksionet e krizës së vitit 2008 në krye të një banke qendrore, që tani po përdor të gjitha burimet që ka në dispozicion. Merkelit i është dashur pak më gjatë që të reagojë. Por tani, ajo po e kupton më në fund se depresioni ekonomi në zhvillim e sipër, do t’i gjunjëzojë vendet e Evropës Jugore, dhe mund të kërcënojë ndjeshëm Tregun e Përbashkët Evropian.

E shtyrë në limitet e saj nga Gjykata e Lartë e Gjermanisë, që vuri në dyshim ligjshmërinë e veprimit të Bankës Qëndrore Evropiane, presidenca franceze e nxitin homologen e kujdesshme dhe të arsyeshme të vepronte dhe të thyente tabunë e solidaritetit financiar.

Bashkë me Emanuel Makronin, ajo po propozon tashmë një fond rimëkëmbje prej 500 miliardë eurosh, të huazuar në mënyrë kolektive nga Bashkimi Evropian, dhe të rishpërndara nga buxheti i BE-së tek vendet më të prekura.

Ishte kthesa e fortë e Merkelit, ajo që do t’i japë mundësi Von der Lejenit të luajë rolin e vet. Kjo e fundit nuk ka qëndruar duarkryq që nga fillimi i krizës, duke bërë thirrje të vazhdueshme për bashkëpunim midis shteteve anëtare, dhe duke prezantuar që në fund të muajit shkurt programe të përbashkëta të blerjes se pajisjeve mjekësore mbrojtëse.

Ndërkohë më 19 mars, organizoi krijimin e rezervës së parë të përbashkët në historinë e BE-së të pajisjeve mjekësore të urgjencës. Ndërsa Parisi dhe Berlini e shohin të përshtatshëm bllokimin e eksporteve të maskave, për të shmangur zhdukjen e rezervave për vendet e tyre, një Ursula empatike, u kërkoi ndjesë italianëve për mungesën e solidaritetit dhe reagimet egoiste të shteteve anëtare.

Pas marrëveshjes franko-gjermane të 18 majit, Komisioni Evropian i drejtuar Von der Lejen ndryshoi ndjeshëm qasje duke propozuar një plan të madh të rimëkëmbjes ekonomike, dhe rritur në 750 miliardë euro mbështetjen e BE-së ndaj vendeve anëtare.

Ky plan hodhi themelet për një union shëndetësor, duke propozuar mbrojtjen e industrive strategjike evropiane nga vendet e huaja, si Kina, përmes subvencioneve shtetërore. Ndërkohë, ai mobilizon fonde për kërkime mbi një vaksinë të disponueshme për të gjithë.

Secila në fushën e vet, dhe me një lloj përulësie, Kristin Lagard, Angela Merkel dhe Ursula Von der Lejen, kanë treguar vlerën e shtuar të Bashkimit Evropian kur ai ecën përpara i bashkuar, dhe i nxitur nga e njëjta ambicie.