Muajt e fundit është folur shumë për një transferim të sulmuesit argjentinas Lautaro Martinez te Barcelona, por klubi katalan nuk ia doli të paguajë klauzolën prej 111 milionë eurosh për prishjen e kontratës së tij me Interin, e vlefshme deri më 7 korrik.

Megjithatë rrjeti televiziv ESPN ka raportuar mbrëmjen e sotme se Interi dhe Barcelona kanë arritur tashmë marrëveshjen për transferimin e sulmuesit argjentinas në Katalunjë, ndërsa zyrtarizimi mbahet pezull nga Philippe Coutinho.

Kjo pasi katalanët duan të shesin më përpara fantazistin brazilian, me paratë e të cilit do të paguajnë për kartonin e Lautaros, ndërsa vlen të theksohet se palët nuk kanë asnjë ngut, pasi argjentinasi nuk mund të federohet te Barça para muajit shtator, kohë kur edhe hapet merkatoja.

Kujtojmë që braziliani Philippe Coutinho është i huazuar te Bayerni i Mynihut, por bavarezët kanë hequr dorë nga blerja e tij, megjithatë te Barcelona janë optimistë për shitjen e tij, pasi nuk mungojnë ofertat nga kampionati anglez.

Te Barcelona synojnë të arkëtojnë të paktën 80 milionë euro për kartonin e Coutinhos, para të cilat më pas do të transferohen menjëherë në arkat e Interit, bashkë me ndonjë lojtar, për të marrë në “Camp Nou” sulmuesin Lautaro Martinez.