Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi , u shpreh pro hapjes së listave zgjedhore. Gjatë një interviste televizive, Patozi tha se marrëveshja e 5 qershorit nuk i jep zgjidhje krizave ciklike në vend. “Unë mendoj se marrëveshja e 5 qershorit është gjëja më e padobishme që mund të bëhej për zgjidhur e krizat ciklike në Shqipëri. Pavarësisht që me gjithë mospranimin tonë apo refuzimin tonë ne gjithsesi e kemi votuar atë, ne kemi një deputet në Parlament, i cili ka votuar pro jo se na pëlqen, por ne pranojmë realitetin politik në Shqipëri. Pranojmë palët në këtë. Pala tjetër është PD dhe opozita e bashkuar si një realitet politik që duhet konsideruar”,- tha Patozi.
Patozi u shpreh se pro listave të hapura, duke e cilësuar si hap të duhur. “Ne jemi po hapjes së listave që do të ndodhi me shumë gjasa. Ky është një hap gjysmak, por në drejtimin e duhur, dhe ne si e tillë nuk kemi pse ta hedhim poshtë. Ne e konsiderojmë se ky është hap i duhur sepse këtë e kërkon shumica e shqiptarëve dhe këtë e japin të gjitha sondazhet. Fakti që e dëshiron këtë edhe Edi Rama për ne nuk është ndonjë sakrilegj. Sigurisht se është një taktikë hileqare e Edi Ramës që të përfitojë duke hedhur po them “urën e zjarrit” brenda kampit të opozitës, por kjo është çështje e tij”,-tha Patozi.
Patozi solli në vëmendje kërkesën e OSBE/ODIHR për depolitizimin e administratës zgjedhore, duke e cilësuar si nevojë urgjente për sistemin zgjedhor në vend. “Për fat të keq, Opozita jashtëparlamentare kërkon ruajtjen e statusqous, të cilën e dëshironte edhe Edi Rama përpara tri javësh, por me sa duket ai filloi të mendonte ndryshe edhe për taktikë politike. Hapja e listave është e domosdoshme. Sipas nesh, ajo duhej shoqëruar me disa hapa të tjerë, që ata nuk janë të interesuar t’i bëjnë. Hapja e listave nuk ka kuptim nëse nuk do të ketë korrektim kombëtar. Se i bie se një parti që mund të marrë 50 apo 70 mijë vota në të gjithë Shqipërinë mund të mos marrë asnjë deputet, dhe kjo është e padrejtë, kjo është e paarsyeshme dhe kjo duhet të zgjidhej brenda kësaj”,- nënvizoi Patozi.
I pyetur për një koalicion të mundshëm me PD, Patozi tha se “ne jemi shumë larg me PD, dhe më vjen shumë keq për këtë. Ne rast se Basha do të kishte të gjysmën e platformës që ne kemi propozuar për demokratizimin e ambientit politik në Shqipëri dhe jo thjesht për arnimin e sistemit zgjedhor. Ne sigurisht do të ishim në një varkë dhe të gjithë bashkëpunimet do të ishin të mundshme, por Basha e do Shqipërinë si në vitin 2008. Jemi larg në qëndrime”,- shtoi ai.
“Unë nuk e kam qëllim në vetvete kthimin në PD, por mbase as PD nuk i duhem fare unë. Unë kam bërë një zgjedhje: Nga PD nuk më largoi njeri me pushkë, por u largova vetë sepse mendova se në atë parti nuk ekziston më as minimumi i rregullave për të qenë bashkë në një organizatë politike. Sigurisht, unë kam bindjet e mia, të cilave u qëndroj i kemi publike gjerat ashti siç i ka edhe PD. Për aq kohë sa dy vektorë nuk bashkohen, ne nuk kemi se çfarë të diskutojmë. Unë as s’jam vrarë e as s’jam prerë me Lulzim Bashën. Politikisht me Bashën jemi larg, ne jemi të prirur të bashkëpunojmë me çdo parti politike shqiptare. Të gjithë partitë që janë për ndryshimin e sistemit. Ne jemi për ndryshim dhe jo për rotacion”,- theksoi Patozi.