Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë takohen sot në një samit virtual, të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kosova përfaqësohet nga kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
Në takim pritet të marrë pjesë edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Hoti dhe Vuçiq do të takohen pastaj në Bruksel, më 12 korrik, për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ka qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ky dialog është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës mallrave të importuara nga Serbia.
Taksa më vonë është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.