‘’Kush ka një mik, ka një thesar’’. E keni dëgjuar dhe lexuar me qindra herë këtë shprehje, por në qoftë se mikesha juaj më e ngushtë i përket shenjës së Luanit, bëni mirë të dini disa gjëra paraprakisht pasi nuk i dihet ç’mund të ndodhë. Një mikeshë luan është e paparashikueshme, por ne në Living kemi gjetur 4 karakteristika që zbërthejnë natyrën e luaneshave:
1.Një shoqe Luan ia arrin gjithmonë asaj që do: E keni parasysh atë djalin e gjimnazit që ju pëlqente aq shumë, por nuk guxuat kurrë ta ftonit për një kafe ose çaj? Epo, bëni mirë ta keni harruar pasi me siguri është i martuar me shoqen tuaj luan. Personat që i përkasin kësaj shenje janë shumë kërkues dhe arrijnë gjithmonë të realizojnë atë që duan. Vullneti dhe vendosmëria janë pika e tyre më e fortë, një luan nuk tërhiqet kurrë me herën e parë edhe nëse kjo e fundit nuk shkon ashtu siç duhet.
2.Është ”e çmendur” dhe e drejtpërdrejtë: Një shoqeje luan nuk i pëlqen kurrë të luajë me letra të fshehura. Nëse ka diçka që nuk shkon, ua thotë menjëherë dhe jo pas shpine. I pëlqen që në fillim të vendosë disa rregulla në shoqëri, një prej të cilave është parimi i sinqeritetit dhe reciprocitetit.
3.Janë besnike: Sa herë ju ka ndodhur të zhgënjeheni nga një mik ose mikeshë pasi ka tradhëtuar besimin tuaj, atë që ju konsideroni si gjënë më të shtrenjtë? Me siguri me dhjetëra herë dhe me po aq siguri jeni zotuar që nuk do të lejoni kurrë më një gjë të tillë, por sërish e keni gjetur veten në të njëjtin skenar. Me një shoqe Luan kjo është e pamundur pasi të lindurit nën këtë shenjë shquhen për karakterin e tyre të fortë dhe të palëkundur. Besnikëria është arma e tyre më e fortë, kjo është edhe ajo që i diferencon nga shenjat e tjera dhe i shndërron në miqtë më të mirë të horoskopit.
4.Di të jetë kritike aty kur duhet: Të kesh një shoqe të mirë, nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh pranë vetes dikë që thjesht të përkëdhel sedrën. Shoqet e vërteta duhet të ngrenë edhe zërin, apo të shkulin veshin, dhe Luani e bën që ç’ke me të. Di të jetë kritike dhe asnjanëse aty ku duhet, madje shpeshherë është ajo që vë frerët në miqësi.