Bashkia Klos fton turistë vendas dhe të huaj të vizitojnë Klosin, qytetin vendosur mes malesh buzë lumit Mat që ofron një bukuri të rrallë . Ndodhur në luginën e Matit ku përshkohet nga lumi në të gjithë gjatësinë, shoqërohet nga vargmale duke e bërë atë një kanion natyrorë të begatë, ku kodrat ngrihen drejt malit, ngjeshur me kulla shekullore nga më të bukurat e zonës së veriut.

Në hyrje të qytetit të Klosit ndodhet “Ura e Allamanit”. Traseja e urës është e shtruar me gurë e rrasa lumi. Ura ka gjatësi prej 16 m. Gjerësia e trasesë shkon 2.6 m. Ndërtimi i urës në këtë vend ka lidhje me rrugën e madhe që përshkonte Matin nga jugu drejt veriut. Kjo urë ndërlidhte edhe tregun e Klosit me Stelushin.

Sot “Ura e Allamanit” ruhet me fanatizëm nga banorët vendas, duke ruajtur kështu vlerat historike e kulturore të zonës së Klosit. Kjo urë ka qenë ndërtuar me kontributin e gjithë zonës së Klosit, por ka ndihmuar edhe familja feudale e Allamanit nga Kurdaria, pasardhësit e së cilës dokumentohen që nga shekulli i XVI.

Nëse e nis rrugëtimin nga Shkopeti hasesh me një peizazh të mrekullueshëm sapo te prekësh territorin e Matit, ku shfaqen liqene, male dhe natyrë e bukur e mbushur nga shumëllojshmëria e bimëve dhe pemëve.