Të 27 udhëheqësit e Bashkimit Europian i kanë shtuar një ditë samitit të tyre, ndërsa përpiqen të nënshkruajnë një marrëveshje për një paketë të madhe stimulimi miliarda eurosh për ekonomitë e tyre dhe buxhetin e tyre afatgjatë, të dëmtuara nga virusi Covid-19. Krerët e qeverive do të rikthehen sot në orën 10:00 GMT pasi një propozim i ri për planin, i paraqitur nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dukej se po merrte diskutime në drejtimin e duhur, por nuk arriti të zgjidhë shumë pyetje të mprehta çka mund të bllokojë këtë marrëveshje.
“Diskutimet janë në një fazë të rëndësishme”, i tha një burim diplomatik gjerman DPA-së, pasi Michel këkroi kohë dje, më shumë se 38 orë pas fillimit të samitit. “Nuk mund të thuhet nëse do të ketë zgjidhje nesër”, tha ai dje në mbrëmje. “Por, ia vlen të vazhdohet puna, sepse ekziston një gatishmëri mes shteteve anëtare për të gjetur një zgjidhje”, shtoi burimi. Çështjet kryesore që pengojnë marrëveshjen deri më tani përfshijnë mënyrën e mbikëqyrjes së shpenzimit të parave, çfarë bilanci të kredive dhe grante duhet të paguhen paratë si dhe si të vendoset një mekanizëm që lidh aksesin në fonde, në përputhje me standardet e shtetit të së drejtës.
Pas konsultimeve intensive me drejtuesit e BE-së, Michel sugjeroi dje një version të ri të planit, që përshkruan një fond të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh (855 miliardë dollarë) të paguar si 450 miliardë euro në grante dhe 300 miliardë euro kredi.