Sul muesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka zbuluar se ai e mendon shpërblimin me Topin e Artë gjatë gjithë kohës, përkundër që ka insistuar që ky çmim individual nuk i është bërë fiksim. Çmimi, që i jepet futbollistit më të mirë në çdo vit kalendarik, është dominuar nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo gjatë 11 vjetëve të fundit, pasi që nga viti 2009 atyre dyve ka arritur t’ua marrë vetëm një herë këtë trofe dikush tjetër, Luka Modric.

France Football, organizata që e bën ndarjen e këtij çmimi, ka bërë të ditur se ky çmim nuk do të ndahet këtë vit, për herë të parë që nga themelimi i tij në vitin 1956, për shkak të kaosit në të cilën ndodhet bota e futbollit shkaku i përhapjes së virusit Covid-19. Pasi e luajti një rol kyç në triumfin e Real Madridit në La Liga këtë sezon, Benzema pritej të jetë njëri ndër favoritët këtë sezon për ta fituar këtë çmim, për të cilën e pranon se e ka pasur synim në jetë.

“A mendoj për atë çmim? Natyrisht, gjatë gjithë kohës. E mendoj që nga fëmijëria, por s’është diçka që më çmend. Kur je futbollist profesionist dhe je garues i zjarrtë për nga natyra, gjithmonë e ke në mendje Topin e Artë”, ka thënë Benzema.

“Unë nuk tentoj asnjëherë ta definoj veten nga pozita ku luaj, si nëntësh, dhjetës apo çfarëdo qoftë. Unë jam futbollist dhe tentoj të bëhem futbollisti më i mirë në botë”.