Nga Artur Ajazi/
Nuk e di, pse javët e fundit duket sikur është “nxehur beteja” e opozitaristëve të rinj parlamentarë me kundërshtarët e tyre politikë, qeverinë, kryeministrin, madje edhe me kryetarin e Kuvendit zotin Ruçi. Duke bërë “opozitarin”, duke ngritur dhe trashur zërin, duke bllokuar foltoren dhe lëvizur karriget me zhurmë, duke ju drejtuar kryeministrit sikur ta kishin komshi në lagje, opozitaristët kanë nisur të bëjnë “betejën” e tyre të fundit por pa lavdi, për ti mbushur mëndjen Lulzimit se “ne jemi adap për tu futur sërish në lista”.
Por Lulzimi e ka ndarë mëndjen, nuk fut në listë më as Murrizin, as Valterin, as Rudinën dhe asnjë nga ata që e prenë në besë, dhe u turrën për ti zënë vendin qëndrestarëve që u larguan. Beteja e fundit e personave të fundlistës Basha, lidhet herë me kërkesën e tyre për “listat e hapura” dhe herë me “ndryshimet kushtetuese”, ajo zhvillihet herë me dakortësi kolegjiale, dhe herë me sherre mes tyre. Një grup parlamentar (i thënçin) që ka turpëruar jo vetëm Lulzim Bashën, por po nxin edhe imazhin e atyre pak fanatikëve që kanë votuar për partiçkat e tyre, si aleatë të PD.
Beteja e opozitaristëve “besprerë” të Lulzimit, nuk ka sens, nuk ka drejtim, nuk ka ide dhe qëllim, ajo thjesht është si një grumbullim spontan i disa personave, që nuk i bashkon as ideali dhe as rrugëtimi i tyre politik. Ata vijnë nga shtigje dhe rrugë të ndryshme, askush prej tyre nuk ka bërë as jetë partiake dhe as jetë parlamentare. Futja e tyre në Parlament, ishte “bingo” për ata, për të ujdisur ca gjëra rrugës, dhe për të sistemuar problemet e jetës. Beteja duket sikur është me Partinë Demokratike dhe me kryetarin e saj Lulzim Basha, i cili veprimin e tyre për marrjen e mandatit e ka quajtur “absurd, nga segmente të klonuara të opozitës”, madje i ka quajtur “bagëti të blera”.
Atij pavarsisht skenave me “bllokim të foltores” apo variantit të vjetër me “trashje zëri” ndaj Ramës apo Ruçit, kurrë nuk i del e keqja, me të mandatuarit e rinj, që pranoi ti fusë në listën e PD, dhe që pranuan të betohen si deputetë të rinj, aq më keq të vetshpallen “opozita parlamentare”. Shumica e tyre janë bërë qesharakë dhe personazhe të barcaletave popullore, kurse një pjesë e tyre kanë hedhur “grepin” në SHQUP, duke pranuar ti binden Lulzimit në çdo hap, vetëm ti rifusë në listat e reja. Eshtë e padiskutueshme, se asnjë prej tyre në zgjedhjet e 2021, nuk fiton as votat e
lagjes pa mbështetjen e PD, ndaj betejat e tyre në seancat parlamentare, duken më tepër si sforcime qesharake për tu dukur “qëndrestarë” para Lulzimit. Ata kurrë nuk arritën, dhe nuk do të bëhen opozita reale e Kuvendit të Shqipërisë, pasi “genet politike” të tyre janë në SHQUP. Ata kurrë nuk mundën të ndahen nga Lulzimi dhe Doktori, ata kurrë nuk mundën të ndahen nga doktrina dhe mendësia marksiste e Partisë Demokratike, kurrë nuk mundën të personalizohen, pasi identiteti i tyre politik, ka qenë dhe ka mbetur në dorën dhe derën e kryetarit në SHQUP.