“Paga e luftës” dhe bonusi prej 40 mijë lekësh u shpërnda si ndihmë financiare nga qeveria për rreth 250 mijë punonjës në të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat u mbyllën ose aktiviteti i tyre u reduktua për shkak të kufizimeve të vendosura. Bledar Kallaverja është një nga të vetëpunësuarit e shumtë që e kanë përfituar ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh. Bledari ka një servis celularësh në një nga zonat e Tiranës. Në një bashkëbisedim me ATSH-në, Bledari shprehet se është i vetëpunësuar në dyqanin e tij prej rreth disa vitesh.

Bledari shprehet se bonusi i shpërndarë nga qeveria në masën 40 mijë lekësh erdhi në një kohë të vështirë për të dhe ishte një ndihmë për të kaluar situatën në të cilën u ndodh prej COVID-19. Aplikimi për të përfituar këtë bonus, thotë ai ishte online dhe formulari ishte i thjeshtë. Qeveria, në planin e saj financiar për të përballuar situatën, parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, përmes dhënies së një page minimale prej 26 mijë lekë (e ashtuquajtur paga e luftës), ndërsa biznesi i madh mund të përfitonte nga një fond garancie prej 100 milionë eurosh.

Ndërsa përmes paketës së zgjeruar iu ofrua ndihmë të punësuarve në bizneset e mëdha dhe të vogla, aktiviteti i të cilave është dëmtuar nga masat shtrënguese kundër koronavirusit. Kishin të drejtën për të aplikuar për pagën prej 40 mijë lekësh, të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi katërmbëdhjetë milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave. Edhe të punësuarit e subjekteve të lejuara për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit/ave të MSHMS, deri në datën 10 prill 2020. Po ashtu u miratua një tjetër garanci sovrane prej 15 miliardë lekësh, e cila shkon për kapital qarkullues e investime për bizneset në të gjitha fushat, për të akomoduar pas COVID-19 nevojat e tyre. Gjithashtu, qeveria dyfishoi pagesën për ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë. Ndërkaq, qeveria është gati të vërë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.