Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se po monitoron në vazhdimësi tregjet nën mbikëqyrje dhe, në linjë me rekomandimet e rregullatorëve të tjerë homologë, ka kërkuar marrjen e masave nga shoqëritë dhe kujdes të shtuar.
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF)miratoi së fundmi udhëzimin “Mbi pritshmëritë rregullatore ndaj subjekteve nën mbikëqyrje, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19”.
AMF udhëzon shoqëritë e sigurimit dhe shoqëritë administruese të marrin masat për të siguruar vazhdimësinë e biznesit duke përfshirë rreziqet që shkakton situata pandemike si dhe të depozitojnë në Autoritet planet e rishikuara për vijimin e veprimtarisë dhe përballimin e krizave.
Po ashtu, Bordi ka kërkuar të mbajnë nivelin e përshtatshëm të likuiditetit si dhe të marrin masa të tjera të nevojshme për të ruajtuar pozicionin e treguesve si dhe të informojnë menjëherë Autoritetin në rast të shkeljes së këtyre treguesve.
“Shoqëritë e sigurimit të rishikojnë kushtet e kontratave të sigurimit, për të reflektuar çdo ndryshim të ekspozimit të risqeve gjatë periudhës së pandemisë. Për produktet që lidhen me mbulimin nga pandemitë, të qartësohen mbulimet e tyre në raste të ndodhjes së ngjarjeve të siguruara.
Të kryejnë një vlerësim të produkteve të cilat mund të ndikohen nga pandemia duke informuar personat e siguruar”, thuhet në udh]zimin e bordit të AMF-së.