3 Korrik- Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës anti-COVID: Drejtorinë Tatimore, Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, kanë intensifikuar kontrollet në terren dhe vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 1555 inspektime në të gjitha qarqet e vendit.
Nga inspektimet janë marrë 2 masa administrative: 1 vendim i ndërmjetëm për pezullim të aktivitetit në një institucion finaciar dhe është gjobitur një call center. Masat administrative janë marrë në subjekte të gjetur në shkelje të protokolleve të sigurisë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga COVID-19. Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Durrës, Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtese, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Ndërkohë inspektimet nga inspektorët shëndetësore do të vijojnë punën në terren për ndërgjegjësimin e subjekteve për zbatim të protokolleve të sigursë me zero tolerancë në bare, restorante, subjekte tregtare, institucione publike etj, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.