1 Korrik- Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka kryer mbi 93 mijë inspektime në biznese dhe institucione publike për zbatimin e masave dhe protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së COVID19. Gjatë periudhës së epidemisë janë vendosur gjithashtu 340 masa administrative në subjekte të gjetura në shkelje të protokolleve. Vetëm në 24 orët e fundit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës: Drejtorinë Tatimore, Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan 1804 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit. Janë vendosur në total 4 masa administrative: 3 masa me gjobë në subjekte të cilat janë gjetur në shkelje si bar-kafe dhe institucione publike dhe 1 vendim i ndërmjetëm për pezullim të aktivitetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon nga qytetarët zbatimin e masave të distancimit sociale, higjenës personale dhe përdorimin e maskave në vendet e mbyllura të rekomanduara. Gjithashtu ju kërkon institucioneve dhe bizneseve të zbatojnë në mënyrë strikte protokollet e sigurisë. Ndërkohë inspektimet nga inspektorët shëndetësore do të vijojnë punën në terren për ndërgjegjësimin e subjekteve për zbatim të protokolleve të sigursë me zero tolerancë në bare, restorante, subjekte tregtare, institucione publike etj, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.