Gazeta britanike DailyMail raporton se Manchester City dhe UEFA kanë mbajtur bisedime mes vete pas vendimit të CAS-it, me qëllim që të arrihet një lloj paqeje mes dy palëve pas mosmarrëveshjeve për rregullat e ndershmërisë financiare. Manchester City do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka shfuqizuar dënimin me dy vjet pezullim nga futbolli evropian për klubin anglez, transmeton Gazeta Express.
UEFA e dënoi Man Cityn me dy vjet pezullim nga garat evropiane në shkurt të këtij viti, për shkelje të rënda të rregullave për ndershmëri financiare (FFP). Klubi i Premierligës i pati mohuar akuzat në mënyrë të vazhdueshme dhe të ashpër dhe muajin e kaluar vendosi të ankohej ndaj dënimit në CAS. Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i ka vendosur tani që t’ia heqë dënimin të kaltërve. Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro.
Pas këtij vendimi nga CAS, kryetari i Manchester City, Khaldoon Al Mubarak, e inicioi një bisedë me presidentin e UEFA, Akeksander Ceferinin, në tentim për të arritur paqe mes dy palëve, pas konfliktit. DailyMail raporton se kjo bisedë mes dy palëve shkoi mirë dhe të dy krerët u pajtuan që ta përmirësojnë bashkëpunimin në të ardhmen, për të krijuar situatë më paqësore për të dyja palët. Tifozët e Manchester Cityt e kanë ndierë një lloj rivaliteti me UEFA-n tash e një kohë dhe kjo është dëshmuar në ndeshjet e Ligës së Kampionëve të Manchester Cityt, kur tifozët e Citizens e kanë fishkëllyer himnin e garës.