Në mesin e verës së kaluar, Matthijs De Ligt ishte një nga lojtarët më të dëshiruar në merkato. Hollandezi ishte kapiteni i ri i një Ajax-i, që kishte shkëlqyer në Ligën e Kampionëve, duke arritur deri në gjysmëfinale. Hollandezi ishte midis Juventusit dhe Barcelonës, teksa në fund përfundoi në Torino në këmbim të 85.5 milionë eurove.

Fillimet e tij në Itali ishin të ndërlikuara, por Michel Santoni, ish-analist i videove të Ajax, miraton vendimin për të zgjedhur bardhezinjtë para Barcelonës: “Mathjis ka pasur një fillim të çuditshëm. Ai u kryqëzua nga disa prekje me duar, sidomos në Hollandë. Shpesh harrojmë që ai është vetëm 20 vjeç. Është përmirësuar shumë në gjashtë muaj. Ai po përfiton shumë nga lojtarë si Bonucci apo Chiellini”.

Santoni beson se shkuarja te Juventusi ishte më e dobishme për De Ligt se sa të kishte kaluar te Barcelona. “Në Hollandë, ne ende e shohim Barçën me admirim, por Juventusi është më i mirë për zhvillimin e tij. Ndoshta Mathjis do të kishte bërë më mirë për Barçën, por vetë nuk do të kishte përparuar si futbollist. Tani është duke mësuar një mënyrë tjetër krejtësisht të re për t’u mbrojtur, po farkëtohet në një mbrojtje totale”.