Për çfarë i duhet një vajzë 2-vjeçare një çantë Hermes Birkin që kushton 10,000 paund?! Kjo është pyetja që ngritën fansat e reperes Cardi B, kur bashkëshorti i saj, Offset, i dhuroi vajzës së tyre 2-vjeçare, Kulture, një çantë të tillë luksi. Çantat, të cilat mbajnë emrin e aktores, Jane Birkin, konsiderohen nga adhuruesit e modës në të gjithë botën si sende koleksionistësh, dhe kjo është arsyeja që qëndron pas vlerës së tyre të lartë.
Reperi ndau një video në Instagram ku i dhuronte çantën rozë vajzës së tij, dhe komentet ishin të pamëshirshme. Kjo bëri që Cardi B të mbronte publikisht partnerin e saj në një video në Instastory, ku shprehej: “E di që kur të famshmit i blejnë fëmijëve të tyre bizhuteri dhe gjëra marke, njerëzit thonë: fëmijët nuk duan një gjë të tillë, atyre ju interesojnë vetëm lodrat dhe ëmbëlsirat. Por çështja është se fëmijët dalin, shkojnë në restorante, në vende luksi! Fëmijët e të famshmëve dalin në tapet të kuq. Dhe nëse unë kam veshur një Cha-nay-nay (Chanel), edhe fëmija im do të veshë një gjë të tillë. Nuk varet te fëmijët, sepse po të varej tek ata do të dilnin jashtë vetëm me pelena”, u shpreh reperja. Cardi B tha më pas se nuk është aspak e mërzitur që babi i bleu vajzës një çantë Birkin, sepse ajo do të kombinohet me mamin.