“Paga e luftës” dhe bonusi prej 40 mijë lekësh u shpërnda si ndihmë financiare nga qeveria për rreth 250 mijë punonjës në të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat u mbyllën ose aktiviteti i tyre u reduktua për shkak të kufizimeve të vendosura.
Elida Hoxha është një nga të vetëpunësuarat e shumta që e kanë përfituar ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh nga qeveria. Elida ka një dyqan me artikuj për shtëpi në një nga zonat e Tiranës. Në një bashkëbisedim me ATSH-në, Elida thotë se është e vetëpunësuar në dyqanin e saj prej disa vitesh.
Për të përfituar bonusin prej 40 mijë lekësh gjatë kohës së pandemisë, Elida kishte aplikuar online në formularin e paraqitur nga Administrata Tatimore. Ajo i vlerësoi të thjeshta procedurat që duhet të ndiqte për aplikim pranë Administratës Tatimore. Për pak ditë, shprehet Elida, përmes një mesazhi nga Administrata Tatimore ishte njoftuar se kërkesa ishte aprovuar.
“Ndihma e qeverisë erdhi në një moment të vështirë për ne, pasi ky dyqan është baza mbi të cilën mbështetet ekonomia e familjes sonë“, shprehet Elida.
Qeveria, në planin e saj financiar për të përballuar situatën, parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, përmes dhënies së një page minimale prej 26 mijë lekë (e ashtuquajtur paga e luftës), ndërsa biznesi i madh mund të përfitonte nga një fond garancie prej 100 milionë eurosh.
Ndërsa përmes paketës së zgjeruar iu ofrua ndihmë të punësuarve në bizneset e mëdha dhe të vogla, aktiviteti i të cilave është dëmtuar nga masat shtrënguese kundër koronavirusit. Kishin të drejtën për të aplikuar për pagën prej 40 mijë lekësh, të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi katërmbëdhjetë milionë lekë, të mbyllura sipas urdhërave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave.
Përfituan edhe të punësuarit e subjekteve të lejuara për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të urdhërave të MSHMS, deri në datën 10 prill 2020. Po ashtu u miratua një tjetër garanci sovrane prej 15 miliardë lekësh, e cila shkon për kapital qarkullues e investime për bizneset në të gjitha fushat, për të akomoduar pas COVID-19 nevojat e tyre. Gjithashtu, qeveria dyfishoi pagesën për ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë.
Ndërkaq, qeveria është gati të vërë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.