Fermerët po shtojnë interesin për rritjen e prodhimit bujqësor dhe për këtë qëllim shprehen edhe pro bashkëpunimit mes tyre, në krijimin e kooperativave bujqësore, me qëllim zgjerimin e eksporteve. Në një studim mbi fizibilitetin e fermave të vogla në vendin tonë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Bujqësinë (FAO), bën të ditur se “53% fermerëve të intervistuar në zonat me prodhim të lartë bujqësor, janë dakord për të bashkuar tokën në formën e një biznesi kooperativë, për ta mbjellë atë me një kulturë të përbashkët dhe për të nënshkruar kontrata kolektive me furnitorët”.
Sipas studimit, dakordësia për të bashkëpunuar ka qenë e lartë për kultivimin e domates dhe bostanoreve, pasi këto janë edhe dy produktet me të eksportuara në vendin tonë. Bashkëpunimi mes fermerëve për të bashkuar tokat është një nga elementët thelbësore për të maksimizuar fitimet. Kooperimi ndikon gjithashtu në rritjen e shitjeve, uljen e kostove dhe thithjen e fondeve nga programet mbështetëse. Në vitin 2015, kishte 37 kooperativa të regjistruara ndërsa sot numri i tyre arrin në rreth 83 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor.