Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati deklaroi sot se hapja e listave përfshin qytetarët edhe në zgjedhjen e deputetëve, jo vetëm të partive.

Gjatë një interviste në medie, Ferhati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe arritjen e një konsensusi të gjerë për sa i përket ndryshimeve në Kushtetutë.

Por, theksoi ajo, ne jemi vendi i vetëm në botë që mazhorancës i duhet të menaxhojë një situatë politike ku janë dy opozita njëra parlamentare dhe tjetra jashtëparlamentare.

Sipas saj, proceset zgjedhore janë të rëndësishme dhe gjithëpërfshirja dhe dialogu i gjerë janë thelbësore.

“Na është dashur të harxhojmë kohë pa fund. Qytetarët duan që vota e tyre të jetë e lirë e fshehtë e të përkthehet sipas vullnetit të tyre”, tha ajo.

Sipas Ferhatit, hapja e listave me jo më pak se 2/3 është bërë për të garantuar konkurrueshmërinë, por edhe ruajtjen e barazisë gjinore.