NGA MONIKA STAFA/

Një udhëtim për në Firenze, në qytetin që edhe emrin e ka marrë nga lulet, dhe e ruan ashtu si në burim në emërtimin e së folmes (“il dialetto fiorentino”), në mbiemrin sipas vendit të origjinës (“io sono fiorentino”), në emrin e skuadrës së futbollit (La grande “Fiorentina”) dhe në formën si e njohin të huajt (“Florence”), është një ëndërr për këdo. Vetëm ideja se 60 për qind e pasurive materiale të shpallura nga Unesco “trashëgimi e njerëzimit” gjendet në Itali dhe 60 për qind e kësaj trashëgimie italiane të marrë në mbrojtje nga Unesco për nderim të kulturës njerëzore gjendet në Firenze është e mjaftueshme për të nxitur dëshirën njerëzore për një vizitë.

Firencja është gjuha ku lindi italishtja, në të cilën Dante shkroi “La comedia divina”, të cilën pati nisur ta shkruante në latinisht dhe pa e mbaruar këngën e parë hoqi dorë prej saj për t’u kthyer tek “volgaristët”, siç quheshin me bezdi kundërshtarët e latinishtes.

Udhëtimi im për në Firence lidhej me pjesëmarrjen në një kurs formimi pasuniversitar në fushën e politologjisë së sotme. Në fakt, qendrimi ynë është paracaktuar në Fiesole, që mund ta quash edhe lagje periferike të Firenzes, edhe një fshat të urbanizuar.
Kisha kaluar një ditë të lodhshme, më ishte dashur t’i gjej portën e vijimit të udhëtimit për në Cagliari një vajze shqiptare nga Shëngjini, që ishte e tmerruar se do të humbiste në aeroport, do të humbte avionin dhe mbi të gjitha kishte mundësi t’ia kuptonin qëllimin: ajo do të shkonte në Cagliarin ishullor për të mos u kthyer më në atdhe.

Sikur të mos mjaftonte kjo, pas mbërritjes në aeroportin e Firenzes, vazhdimin e udhëtimit me autobus drejt “Final Destination”, hotelit ku do të qendroja, e bëra nën shoqërimin e ankimeve të pafundme të shoferit të autobusit, i cili, sapo mësoi se isha shqiptare dhe do të qendroja në Fiesole për të marrë pjesë në kursin e europeizmit, sikur të kishte me kurdisje, nisi të fliste pa pushim për fatkeqësinë e tij, martesën a bashkëjetesën e shkatërruar me një shqiptare. Pasi më qortoi për theksimin e gabuar, në rrokjen e dytë, të emrin “Fiesole” – duhej shqiptuar me theks në rrokjen e parë – nisi rrëfimin për telashet me shqiptaren që kish njohur, me sa duket nga Shkodra: “Una albanese da Scudari, ma l’ho lasciato perche era agressiva: mama mia, era cosi severa e fumava tanto”, shpjegoi ai.
Autobusi rrotullohej nëpër kthesat e rrugës që ishte ndarë tashmë prej autostradës dhe unë e humba qetësinë.

Në udhëtim dhe në kohën e ndërrimit të avionëve – aq sa më kishte mbetur pas zgjidhjes së problemit dhe terapisë qetësuese për alarmin e saj: do më zbulojnë dhe do më kthejnë, po ku të vete, atje ku rroj unë s’kam asnjë mundësi – kisha lexuar Malaparten dhe isha çuditur me simbiologjinë e këtij shkrimtari misterioz; kisha menduar si të ndërtoja kalendarin e ditëve të mia në Fiesole, për të vizituar urën e Dora d’Istrias, kësaj dame të vërtetë fisnike që u dha emër shqiptarëve një shekull e gjysmë më parë; si të gjeja shtëpinë e De Gubernatis, ku ajo kishte kaluar vite jete dhe pune; si të shkoja në galerinë “Uficci” për të parë portretin e Gjergj Kastriotit dhe pikturat me familjen fisnike “Durrazzo”, të periudhës së humanizmit; si të vizitoja rezidencën impozante të Pallazzo Pizzi. Kishte qenë një udhëtim me shumë ëndërrime, dhe tani më priste një qerthull rrotullimesh, që po zgjaste gati sa fluturimi Fiuminccino-Firenze, me një autobus thuajse të boshatisur dhe së fundmi me një taksi shërbimi.

Mbas shumë mundimesh, gjendem në vendin e duhur, në hotelin e rezervuar nga Instituti Universitar Europian, ku të nesërmen duhet të filloj kursin. E lodhur, pa qetësinë që kisha përfytyruar për të mbyllur udhëtimin, me mbresat e vajzës nga Shëngjini, që nuk shihte më asnjë shteg jete qoftë dhe në varfëri në vendin e vet, tashmë mund të mendoj për të nesërmen. Për të nesërmen? Prit pak?! Ndoshta mesnata ka kaluar dhe tanimë jemi “sot”.
Fiesole është një fshat i bukur dhe i këndshëm, për të cilin kam shumë për të mësuar. Pamja që kam para syve këtë mëngjes të parë, pasi bëra një gjumë jo dhe aq të qetë, është e shkëlqyer. Bën shumë ftohtë, kushtëzuesin e ajrit e kisha komanduar në 30 gradë, por të ftohtit përsëri ishte aty. Me sa duket duhej të ishte me defekt. Zotëria në recepsion nuk pati nevojë për shpjegimet e mia, pas përshëndetjes më tha se do të më ndryshonin dhomë për ditët në vijim. Më kurseu një kërkesë, mendova duke buzëqeshur.

Instituti Universitar Europian është nga më të njohurit në botë për studime të shkurtra postdoktoraturë dhe për felloëship-e me tematika prioritare, që kanë rëndësi shumë të madhe për njerëzimin. Kur hyra në auditor, pashë duhej të isha studentja më e re e kursit. Të gjithë të tjerët ishin në mesmoshë a më shumë, me tituj dhe karrierë. Këtë e vërejtja shumë shpejt, kur na u dha fjala – Just one minute, not more – për të prezantuar vetveten. Kjo më dha qetësi. Nuk kisha gabuar kur vetja më qe dukur në mjedis të dikujt tjetër kur duke hyrë në sallën “Europa”, nga pamja e të pranishmëve, mendova se duhej të isha futur në një ngatërresë. Kandidatët e tjerë, zonja dhe zotërinj, janë me veshjet e tyre in borghese, me mjekrat e mëdha dhe kravatat e stolisura me karfica floriri, me kostumet “formal correct”, por njëherësh të ngjallin një respekt të merituar.
Universiteti e mban emrin e madh të themeluesit shpirtëror të Europës Robert Shumman. Të gjithë kishin një ëndërr: të ndërtonin një Europë të përbashkët, me një monedhë të përbashkët! E kjo ide ka lindur shumë kohë më pare, që prej rënies së perandorive. Në fakt, unë mendoj pak ndryshe. Europeizmi nuk do të kishte kurrfarë kuptimi pa European Renaissance, Rilindjen humaniste europiane në fund të mesjetës.

Vila “Schiffanoia”, ku ka banuar dikur një nga familjet më të mëdha aristokrate të Firences, në të cilën ne zhvillojmë mësimet, sikur ma miraton këtë ide. Kjo vilë mund të ketë shërbyer dikur për ballo me maska, ashtu si jemi mësuar ne t’i shohim nëpër filmat e regjizorëve të mëdhenj. Në ata filma ku zakonisht porosia është: Njeriu nuk duhet të shkojë në Europë, sepse Europa e dobëson njeriun duke i zbukuruar ndjenjat e duke i zbutur pragmatizmin. Sepse Europa e bën më të butë shpirtin njerëzor. Dhe profesori qesh, duke paralelizuar rolin e dikurshëm të kësaj vile me Europën e sotme. Dikur familjet e mëdha aristrokrate, vazhdon ai, mblidhnin emrat e njohur së bashku, jo vetëm për të kërcyer, kënduar, për të pirë verë, por dhe që të nisnin ndonjë histori romantike. Ne jemi këtu serish, natyrisht mes damash të bukura, por dhe të mençura njëherësh dhe sigurisht edhe me gentilmenë, që sjellin dhe ndajne ide të shekullit tonë”.
Në leksionin e ditës së sotme flitet për heronjtë romantikë të Europës, por edhe për idenë ende romantike të “qeverisjes planetare”, së cilës njerezimi nuk do t’i shpëtojë aspak, konfirmon presidenti i shkollës, pa u druajtur fare se ideja e një “international gouvernment” ka qenë së pari e Marksit. Kjo është një ëndërr, pohon ai, një ëndërr që do të bëhet realitet shumë shpejt. Dhe, duke ia kaluar fjalën ligjëruesit të dytë, na uron shumë lakonikisht: “Dream comes true!”.

Vila “Schiffanoia”, që sot shërben si residence e Institutit Universitar të Europës, duhej të më kish tërhequr vëmendje më parë. Por, megjithatë, e gjeta kohën e ia dhashë vetes kënaqësinë “ta inspektoja” fillim e fund. E ndërtuar në shekullin e 15-të nga një familje e madhe fisnike si vend luksi, ku mund të dëbohej inati dhe mërzia, mori, për këtë arsye, emrin “scchiavare la noia”. Në fillim të shekullit të 20-të, vila u ble nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cili e shndërroi në një muze arti dhe kulturë. Vila është e rrethuar me një kopësht shumë të bukur. Fryn një erë e lehtë dhe dielli shkëlqen, megjithëse vjeshtë e vonë. Në kopsht gjenden mbi 30 statuja, prej atyre të perëndive të Olimpit deri tek serafinët e kerubinët e krishterimit. Kjo ishte një kënaqësi e paparashikuar, dukej sikur po përjetoje gjithë historinë e Europës.
Prej këndej duket vetëm Piazza Duomo. Të gjithë duan të blejnë kujtime, gjithçka është e lidhur me lavdinë e qytetit. Kur kalon nëpër “Via Dante” pranë shtëpisë së tij fjorentine, të duket sikur dhe ti po hyn në histori. Këtu gjen Michelangelo-n, “L’ultima Cena-n” me historitë e njohura që lidhen me Sangraal-in, ose më saktë me “sangue real-in”, gjakun mbretëror të Krishtit Jezu. Pafund janë shitoret e maskave, të njëjtat që regjisori ka zgjedhur për filmin “Eyes ëide shut”, që u bë shkas që dy protagonistët, Tom Cruise e Nicole Cidman t’i jepnin fund martesës së tyre…

Profesori flet më tej për pushtetet dhe qeverinë, për raportet mes qytetarëve dhe sundimtarëve; ”Give us poëer and ëe give you all the sources of the country”, citon dikënd ai. E çuditshme, mendoja, të gjitha këto sikur po m’i lexon nga mendja ime. Të gjitha viruset që kemi mësuar deri më tani lidhur me ato që janë programuar mbi njerëzit nuk janë gjë tjetër veçse viruse të hedhura nga superfuqitë për të eksperimentuar mendjen njerëzore, shpjegon profesori që vjen pikërisht nga superfuqia më e madhe e kohës, dhe mua gati sa nuk më del nga goja thirrja: “Kujdes, do të të heqin nga puna!”. Herë duke ngritur sytë e herë duke ndërfutur një pauzë të shkurtër në mes të fjalisë, ai shpjegon se këto “viruse” qarkullohen ndoshta për të pakësuar fuqinë e njeriut, ndoshta për t’i bërë të varur njerëzit nga një sy i madh, ndoshta për të rikrijuar klasa të pasura nga e para dhe për të shkuar në diferencime edhe më të mëdha midis shtresave. Përsëri më kujtohet Shqipëria, ku sot flitet vetëm për klasë politike dhe supozohet se në shoqërinë e sotme nuk ka më klasa, sepse demokracia është popullore dhe s’ka si të ketë ndarje klasore, shumë-shumë mund të ketë “grupe interesi.
Dita e fundme ka ardhur. Më pret një vizitë në manastrin e fretënve franceskanë, ndërtuar që në shekullin e 14-të. San Bernardo është emri i fratit që themeloi këtë manastir dhe rendi i murgjve të tyre u perhaps edhe jashtë Italisë. Më duket ndërtoi këtë urdhër, për ta shpërndarë atë dhe përtej Italisë. Pak më poshtë gjendej muzeu arkeologjik.

Fiesole ka qenë vendbanim etrusk, para-roman. Aty është gjetur një vendbanim me kulturë proto-latine, kulturë etruske. Më japin kënaqësi dhuratat simbolike që mund të blej, një zvarranik të epokës primitive që thuhet se është totemi i qytetit, i ngjashëm me gjarpërin tek shqiptarët dhe simbolin e njeriut të parë në tokë. Pas një nate të qetë, që m’u desh mjaft për të sistemuar në mendje dijet dhe informacioni që kisha marrë me mend, me sy, me veshë, me gjithë qenien time, zgjohem herët dhe shijoj mëngjesin e larmishëm që ofron restoranti. Gjithnjë duke menduar: Presto, presto, ti aspetta Pullman numero sei o sette. O Dio, non sono sicuro, sei o sette. Chiudero e chiedero!