Në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës gjatë dy ditëve të fundit kanë kaluar rreth 9 mijë persona dhe 3672 mjete. Prefekti i qarkut të Kukësi, Zenel Kuçana, tha sot për ATSH-në “të premten dhe të shtunën ka pasur një rritje të numrit të shtetasve të huaj, si dhe shqiptarëve të Kosovës që kaluan në pikën Kufitare të Morinës”.

“Situata në pikën doganore është mirëmenaxhuar pa krijuar pritje në radhët e pasagjerëve. Këtë fundjavë ka pasur një fluks të shtuar turistësh dhe të mirëmenaxhuar nga autoritetet doganore të të dy vendeve”, – tha Kuçana. Pavarësisht pandemisë COVID-19, pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik për të kaluar pushimet e tyre. Pika kufitare e Morinit është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit. Shtetasit nga Kosova, vijojnë të kryesojnë me fluksin më të madh të vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj pike doganore.