Në përpjekje për të mbështetur mundësinë që listat e hapura të shoqërohen me koalicionet parazgjedhore, siç janë përdorur deri në 2013 në Shqipëri, Partia Demokratike solli sot shembullin e Kosovës. Por modeli që sugjeron opozita ekstraparlamentare është në të vërtetë i njëjti model që propozon Edi Rama dhe Partia Socialiste: domethënë po koalicione, por me listë unike.

Në Kosovë, siç e tregon dhe fleta e votimit, partitë e lidhura në koalicion janë prezantuar me një listë unike siç propozon sot PS dhe jo të ndarë në lista të veçanta si pretendon akoma PD. Pastaj, në Kosovë ka një ndryshim tjetër që e bën operacionin e votimit dhe të numërimit më të thjeshtë: atje ekziston sistemi proporcional kombëtar, pra 100 kandidatët janë unikë në të gjithë vendin. Ndërsa në Shqipëri ekziston sistemi proporcional rajonal.

Dhe kështu në çdo qark lista e kandidatëve që propozon secila parti, ndryshon. Sa më shumë shtohen listat, aq më shumë shtohen kandidatët, dhe si pasojë rreziku i ngatërresës për zgjedhësit. Në skedën e propozuar nga PD bëhet edhe një tjetër pasaktësi. Me sistemin e listave të hapura çdo parti është e lirë të paraqesë një numër kandidatësh më të madh se numri i vendeve të disponueshme, sepse në këtë mënyrë iu jepet zgjedhësve mundësia për një zgjedhje më të madhe.

Për shembull në Tiranë çdo parti nuk do të paraqesë vetëm 34 kandidatë (pasi ky është vendi i disponueshëm), por do të paraqesë shumë më shumë. Natyrisht në parlament do të futen vetëm kandidatët që kanë marrë më shumë vota, sipas numrit të mandateve që ka fituar partia.