Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se klubi anglez do t’i jetë gjithmonë mirënjohës mesfushorit spanjoll David Silas, për të cilin tha se e ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme në Etihad. Silva do të largohet nga Manchester City në fund të këtij sezoni, ndërsa tani i ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për ta luajtur në Premierligë dhe edhe ndeshjet në Ligën e Kampionëve.

34-vjeçari po largohet një dekadë pasi iu bashkua “Citizens” pas transferimit nga Valencia. Pas 433 ndeshjeve të zhvilluara, 77 golave, katër titujve të Premierligë dhe momenteve të panumërta brilance, largimi i Silvas pritet të jetë emocional. Ai i ka kaluar katër sezonet e fundit nën drejtimin e Guardiolës, pasi më parë ishte stërvitur në Etihad nga Roberto Mancini dhe Manuel Pellegrini. I pyetur për ndikimin e Guardiolës, ai tregoi se sa e ka shijuar periudhën si lojtar nën Guardiolën.

E tani Guardiola ka thënë se do t’i jetë gjithnjë mirënjohës yllit të mesfushës. Kur u pyet ta përshkruaj karrierën e spanjollit, Guardiola tha: “E jashtëzakonshme”. “Numri i ndeshjeve, cilësia me të cilën ka luajtur, titujt të cilët na ka ndihmuar t’i fitojmë… ai është njëri ndër pesë apo gjashtë lojtarët që e kanë bërë këtë klub atë që është tani”.

“Dhe ky klub do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës”.