“Marrëveshja e 5 qershorit me opozitën jashtëparlamentare garanton një lexim më të mirë të votës, ndërsa ndryshimet kushtetuese u japin qytetarëve më shumë hapësirë në vendimmarrje”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Sipas saj, sistemet zgjedhore gjithnjë kanë të metat dhe avantazhet e tyre dhe mbetet në frymën dhe demokracinë e një vendi të nxjerr më të mirën prej tyre. “Të gjitha sistemet kanë pluset dhe minuset e tyre. Përgjithësisht përshembull, në demokraci jo të konsoliduara, vështirësia e listave të hapura tregon se s’ka stabilitet shumë të mirë, por nga ana tjetër lidhja me qytetarin është shumë më e fortë tek sistemi i listave të hapura, pasi dhe kandidati buron nga zona ku është zgjedhur”,- tha Gjylameti.

“Nuk besoj se ka një sistem që zgjidh të gjitha problematikat, por ka të bëjë shumë me frymën dhe demokracinë e brendshme që ka një vend. Mjafton të shohësh se çfarë bëjmë unë apo kolegët tonë në zonën tonë, për të kuptuar se pavarësisht listës së hapur apo të mbyllur, ne jemi aty dhe përfaqësojmë denjësisht qytetarët”,- tha Gjylameti. Duke folur për Këshillin Politik, Gjylameti shprehu besimin se fryma e 5 qershorit të ndiqet këto ditë nga Këshilli për të nxjerr një produkt konsensual edhe për ndryshimet kushtetuese.

“Në të njëjtën frymë nëse vijohet përsëri, deri në ditën kur duhet të votojmë ndryshimet kushtetuese dhe mund të arrijmë një konsensus për t’i dhënë shqiptarëve atë që presin. Në gjykimin tonë sistemi aktual që kemi, ofron një rregull tërësisht të padrejtë loje. Mjafton të shohim që nëse partitë që nuk kanë marrë një numër të caktuar votash mbeten parti politike duke marrë deputetë dhe duke marrë para nga buxheti shtetit, falë mandateve të marra me votat e partive të mëdha që nuk i takojnë, pasi këto vota i takojnë partive më të mëdha. Me heqjen e koalicioneve ky deformim nuk ndodh”,- tha Gjylameti.

Ajo shtoi se çështja e sistemit zgjedhorë nuk duhet të jetë argument për fitimin apo humbjen e zgjedhjeve. “Me ndryshimet që kanë qenë në 2008, PS nuk ka gjetur argument për fitoren apo humbjen. Sistemet janë të diskutueshme, por rëndësi ka të kemi konsensus për të lexuar sa më mirë votën e qytetarëve. PD apo opozita e bashkuar nuk duhet të fshihet pas gishtit për çështjen e koalicioneve, vota e drejtë lexuar përmes marrëveshjes së 5 qershorit është garanci shumë e madhe. Administrimi i përgjithshëm i zgjedhjeve sipas marrëveshjes së 5 qershorit, e cila nuk adresoi të gjitha kërkesat e OSBE/ODIHR, por u bazua në kërkesa të cilat parashtroi opozita jashtë Kuvendit, janë një garanci e shtuar për leximin e votës. Por tek ne problemi mbetet tek pala humbëse e zgjedhjeve që gjithnjë nuk i njeh ato”,- vijoi Gjylameti.

Duke folur për barazinë gjinore, deputetja u shpreh se sistemi i ri i propozuar nga Partia Socialiste parashikon që 1/3 e listës fituese të përfaqësohet nga gratë.

“Vlen për t’u theksuar fakti se në ndryshimet që janë diskutuar në komisionin e ligjeve, është tentuar nga kryetari i PS adresimi i problematikës së kuotës gjinore. Mjafton të shohësh rritjen e përfaqësimit të grave në politik për të kuptuar se kemi një politikë gjithëpërfshirëse, një politik më të përgjegjshme. Në këtë drejtim ne me ndryshimet e Kodit Zgjedhor duam të përcaktojmë që 1/3 e listës fituese të jetë gjinia e femër. Nëse PS në listën fituese të Tiranës, duke marrë parasysh që PS mori 17 mandate në Tiranë në vitin 2017, 30% e kësaj liste duhet të jetë me gra, pra 6 do jenë gra. Ky është një ndryshim që jep garanci”,- theksoi Gjylameti.