Gjyqtari i dorëhequr për shkak të Vettingut, Gjin Gjoni, është propozuar sot nga demokratët si kandidat në zgjedhjet e vitit 2021. Madje bashkë me të, është propozuar edhe i vëllai. Ky lajm që u konfirmua nga vetë Partia Demokratike solli një reagim të ashpër nga ambasadorja amerikane në Tiranë. Për herë të parë Yuri Kim “guxoi” të përmendte fjalën paralajmërim për krerët e partive politike, duke u kujtuar se mbajnë përgjegjësi për emrat që do të vendosin në lista. Nuk ka asnjë mëdyshje se reagimi i ashpër i referohet rastit të Gjonit.
“Paralajmërim: Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhje, liderët do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi vini kandidatët tuaj – mos i fyeni votuesit, mos e dëmtoni demokracinë, mos nxitni korrupsionin” – shkruajti sot ambasadorja Kim. Por refuzimi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë emrit të gjyqtarit në fjalë datojnë që prej kohës kur ai shërbente në detyrë. Ka qenë fillimisht ambasadori Donald Lu ai që ka artikuluar një mesazh referuar rastit të Gjin Gjonit.
“E di që është e vështirë të jesh gjyqtar i ndershëm në Shqipëri. Gjyqtarët e korruptuar mbajnë në dorë ora ‘Cartier’” – deklaroi Donald Lu plot tri vite më parë. Për më tepër, Lu ftoi për kafë katër gazetarët Elton Qyno, Adriatik Doçi Aleksandra Bogdani dhe Besar Likmeta të cilët në atë kohë ishin paditur nga gjyqtari Gjin Gjon. Gjoni njihet si i apasionuar pas firmës Cartiert ndaj dhe Lu krijoi një insinuatë me të në qershor të vitit 2017.