Procesi rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit në Vorë vijon me ritme të lartë. Sot ka nisur dhe procesi shpërndarjes së granteve të garantuara nga qeveria për banesat individuale të dëmtuara në nivelin DS1, DS2 apo DS3. Kryetari në detyrë i bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj, bëri me dije, gjatë një komunikimi me Kryeministrin Edi Rama, se deri më sot janë lidhur 53 kontrata, ndërsa pritet të shpërndahen 6 milionë e 870 mijë lekë të reja.

“Në bashkinë Vorë vijon procesi i rindërtimit. Janë lidhur deri në këto momente 53 kontrata të lidhura për banesat e dëmtuara nga DS1 në DS3, pjesa tjetër e mbetur e kontratave janë në proces ankimimi, pasi kemi raste dhe banesa që janë të emigrantëve, të cilët janë kontaktuar nga ana e Bashkisë dhe që po angazhojnë familjarët e tyre për të përmbyllur marrëveshjet.”,- tha Brahimaj.

“Sot po bëhet shpërndarja për 51 kontrata, 22 kontrata janë DS1, 8 kontrata janë DS3, dhe 21 kontrata janë DS2. Në total do të shpërndahen 6 milionë e 870 mijë lekë të reja. Kemi kaluar në Këshillin Bashkiak dhe udhëzuesin për miratimin e DS4 dhe DS5, sipas VKM dhe Aktit Normativ, duke adresuar dhe problematikat e zonës, siç janë ato të pronësisë apo të tjera. Procesi vijon dhe shpresojmë që sa më shpejtë të vijojmë me pagesat”,- tha Brahimaj. I pyetur nga Kryeministri Rama për ndërtimet e reja, Brahimaj nënvizoi se janë dy zona zhvillimore në bashkinë e Vorës.

“Në bashkinë Vorë kemi 2 objekte arsimore që po rindërtohen, shkolla 9-vjeçare në Marikaj dhe shkolla 9-vjeçare në Ahmetaq. Gjithashtu kanë nisur punimet në kopshtin në Muçaj. Ne si bashki falë ndihmës së qeverisë kemi ndërtuar 24 banesa private të dëmtuara nga tërmeti 21 shtatorit, që u janë dorëzuar familjarëve”,- tha Brahimaj.

“Në bashkinë Vorë, sa i takon dëmtimeve DS4 dhe DS5 kemi 110 ndërtesa dhe në këtë drejtim kemi 2 zona zhvillimore, e para në Vorë, që është pjesa më e madhe, dhe e dyta në Marikaj. Në këto dy zona zhvillimore kemi 480 familje, banorë në banesa kolektive. Pjesa tjetër u përket banesave private. Janë 14 pallate që do të shemben, duke u ndryshuar komplet pjesa qendrore e bashkisë Vorë. Në njësinë Marikaj kemi 7 pallate të cilat do të shemben dhe do të ndërtohen të reja. “,- përfundoi Brahimaj.