Greqia është e bindur se nëse gjithçka shkon mirë, mund ta këtë vaksinën të disponueshme për qytetarët e saj brenda muajit janar 2021
Teksa tashmë është krijuar një ekip nga Ministria e Shëndetësisë, qëllimi i të cilit është të ekzaminojë të dhënat e vaksinave më premtuese dhe të negociojë sasi dhe çmime me prodhuesit e tyre, kreu i Organizatës Greke të Barnave (EOF), Dimitrios Filippou tha për “Ekathimerini” se “Ne jemi në pritje të zhvillimeve” dhe se “Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, në fillim të vitit 2021, ne mund të kemi një vaksinë për përdorim komercial.”
Filippou tha gjtihashtu se sigurimi i vaksinave për secilin vend do të varet nga aftësia prodhuese e kompanive që i zhvillojnë ato dhe nëse ato rezultojnë të efektshme. Edhe Serbia deklaroi javën e kaluar se Beogradi do të marrë vaksinën kundër koronavirusit të ri deri në fund të vitit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se vendi i tij po zhvillon bisedime me një vend, që sipas tij ka përfunduar vaksinën kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi dhe që “ua jep atë popullatave të rrezikuara”.
“Shpresojmë se para fundit të vitit do të mund ta kemi atë vaksinë. Do të ishte shpëtim për Serbinë dhe ekonominë tonë”, tha Vuçiç por nuk tha se për cilin vend bëhet fjalë.