Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka pranuar se klubi anglez nuk do ta ketë aspak të lehtë ta gjejë një zëvendësues për mesfushorin David Silva. Mesfushori 34-vjeçar do t’i japë fund karrierës së tij në stadiumin Etihad sapo të përfundojë sezoni aktual, pas dhjetë vjetëve të suksesshme me klubin, transmeton Gazeta Express.

Guardiola e lavdëroi katër-herë fituesin e Premierligës duke e cilësuar si lojtar unik dhe e pranoi se do ta ketë të vështirë ta gjejë dikë me të njëjtat aftësi dhe mendësi. “Është shumë e vështirë të transferohet dikush që e ka stilin e tij të lojës dhe cilësinë e tij, veçanërisht në aspektin e mendësisë së tij konkurruese, jo vetëm cilësinë teknike”, ka thënë Guardiola.

“Cilësia e tij është unike dhe e veçantë, aftësia e tij për të kaluar përpara në sulm dhe për të lëvizur në hapësira të vogla është e mrekullueshme”. “Ajo që më ka befasuar më së shumti në këto katër vjet sa kemi punuar së bashku është mendësia e tij e zjarrtë për konkurrencë kurdo që luan”. Silva do të shpresojë ta mbyllë karrierën e tij në Manchester City duke i ndihmuar klubit ta fitojë titullin e parë të Ligës së Kampionëve në histori.