Pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit Politik, që kishte nisur prej orës 17:30 (pas dakordësisë së palëve për t’u ulur në tryezë për paketën e ligjeve), përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari doli në një deklaratë për shtyp. Rudina u bëri thirrje të gjithë demokratëve që ta mbështesin këtë ndryshim.
“Nuk kam reshtur duke ecur në rrugë dhe duke takuar qytetarë për të marrë mbështetje për listat e hapura dhe shoh që qytetarët me ndalojnë dhe më thonë mos u tërhiq. Ka pasur edhe simpatizantë të PD-së që më kanë thënë se janë të zhgënjyer që lidershipi i PD-së nuk po e mbështet këtë nismë. Erdha me këtë synim sot, për t’i kërkuar PD-së që të mbështesë listat e hapura. I bëj thirrje demokratëve që janë të zhgënjyer nga kjo mënyrë e kapjes, servilosjes të bashkohen dhe të mbështesin listat e hapura. Duhet patjetër të shkojmë me lista të hapura.
Nuk ka njeri ta ndalë këtë furtunë ndryshimi. Çdo vend i BE-së përfaqëson listat e hapura. Është e rëndësishme që kur duhet të flasim për listat hapura të kemi konsensus të gjerë politik. Listat e hapura për mua do jenë realiteti i ardhshëm në zgjedhjet e ardhshme”, tha Hajadri.