Bashkia Pogradec ka rihapur për pushuesit plazhin e vjetër publik të Uçkave , pas investimit që e ka transformuar atë në zonë me hapësirë të zgjeruar plazhi, me rrugë të shtruar për këmbësorët, me stola, ndriçim dhe gjelbërim. Hapësira e plazhit të Uçkave ka qenë një nga zonat e preferuara për pogradecarët. Këtë vit ata kanë më shumë hapësirë për ta frekuentuar këtë zonë. Bashkia Pogradec bën të ditur se përmes projektit për rikualifikimin e zonës është transformuar jo vetëm plazhi por i është prioritet dhe vëmendje investimeve të duhura edhe zonës këmbësore.
“Fatkeqësisht kjo pjesë e qytetit prej vitesh kërkonte zgjidhje emergjente dhe për shkak të mungesës së saj ishte braktisur dhe degraduar. Të lumtur që jo vetëm e transformuam me investimin që kryem, por tashmë ajo është kthyer në një nga zonat e parapëlqyera për ecjet e mëngjesit dhe mbrëmjes”- bën të ditur bashkia Pogradec. Ky investim konsistoi në shtrimin me pllaka të zonës këmbësore duke e bashkuar me shëtitoren kryesore. Gjithashtu u bë rehabilitimi dhe zgjerimi i plazhit, vendosja e ndriçimit publik, stolave dhe ndenjëseve për qytetarët bashkë me koshat si dhe u vendosën çezmat publike dhe pemët dekorative.